Në Maqedoninë e Veriut në mesnatë filloi zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 15 korrikut e cila do të zgjasë deri më 12 korrik në mesnatë pas çka pason heshtja treditore.
Fushata do të duhet të mbahet në pajtim me masat për mbrojtje nga Covid-19, pa tubime të mëdha, me fokus në prezantimin e programit përmes internetit dhe përmes mediumeve elektronike. Takime me qytetarë do të ketë dhe atë në ambiente të hapura me më së shumti 50 persona, ndërsa në ambiente të mbyllura me 30 persona dhe me respektim të distancës dhe mbajtjes së maskave.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nga Ministria e Shëndetësisë ka pranuar protokollet në bazë të të cilave do të zhvillohen zgjedhjet e 15 korrikut, me masa të veçanta mbrojtjeje. Më 13 korrik do të votojnë të sëmurët nga Kovid-19, dhe personat në karantinë dhe në vetizolim, por vetëm ata të cilët shtatë ditë paraprakisht do të paraqiten për atë. Të gjithë të tjerët të cilët deri në ditën e votimit do të konfirmohen si pozitivë apo do të shkojnë në vetizolim nuk do të mund të votojnë më 15 korrik. Më 14 korrik do të votojnë të sëmurët dhe të pamundurit, si dhe të burgosurit dhe personat të cilët janë në paraburgim. Votimi më 15 korrik fillon në orën 7 në mëngjes dhe do të zgjatet dy orë dhe përfundon në orën 21:00.
Protokolli shëndetësor për zgjedhjet parashikon që anëtarët e këshillave special zgjedhor, në këtë rast mjekët ose infermierët, të mbajnë mantel për një përdorim, maska dhe doreza. Personi në izolim ose i infektuari duhet të mbajë maskë dhe të dezinfektojë duart para dhe pas votimit. Kutitë e votimit nuk do të dezinfektohet pas secilit votim. Protokolli parashikon edhe një sërë masash të tjera të detyrueshme të cilët kanë qenë të njohura edhe më herët. I gjithë procesi do të zhvillohet me maska, doreza, dezinfektues dhe distancë prej 1 e gjysmë deri 2 metrash. KSHZ-ja do ta shndërrojë protokollin në akte nënligjore. KSHZ-ja së shpejti do të duhet të formojë edhe këshillat special zgjedhor të cilët do të duhet të realizojnë votimin e personave në izolim.
Ndërkohë me dekret, Qeveria maqedonase rregulloi pjesën e reklamimit politik e cila ngjalli disa reagime. Kjo hedh poshtë vendimin e Agjencisë së mediave që 6-minutshi t’i takojë vetëm VMRO-së.
“Me mjete nga buxheti, Agjencia e mediave propozoi që VMRO-DPMNE-ja të marrë dyfish më shumë hapësirë mediatike se sa partitë në pushtet. Absolutisht mendoj se dekreti është i duhur për të ndaluar një veprim jashtëligjor”-tha Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.