Më tepër se dy të tretat e 94 imigrantëve të shpëtuar në detin Mesdhe nga garda bregdetare e Maltës, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, shkruan BBC.
Në testimet e bëra, 65 imigrantë u konfirmuan se kanë COVID-19.
20 kanë rezultuar negativë, ndërsa nëntë do të marrin rezultatet më vonë.
Imigrantët – që mendohet se janë nga Eritrea, Maroku dhe Sudani – është raportuar se kanë qëndruar në det për 30 orë para se të shpëtohen. Ata do të mbahen në karantinë në qendrën e pranimit.
“Imigrantët që vijnë me varkë menjëherë futen në karantinë për 14 ditë dhe testohen. Imigrantët që rezultojnë pozitivë do të izolohen dhe do të mbesin në karantinë e do të mbikqyren”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.
Grupi ishte nisur me një varkë të vogël nga Libia. Ata janë shpëtuar të hënën.