Kompania më e madhe turistike në vend “Sharr Travel” ka zbritur çmimin e biletave për qytetarët që synojnë të udhëtojnë drejt Sarandës.
Nga sot çmimi për një biletë Prishtinë-Sarandë dhe Ksamil do të jetë 20 euro, deri sa bileta kthyese do tê jetë 25 euro.
Ky vendim erdhi pas hapjes së rrugës Kardhiq-Delvinë që lidh Gjirokastrën me Sarandën në një kohë më të shkurtër.
Pronari i kësaj kompanie, Ruzhdi Kurtishaj, thotë se ndjehet i lumtur që qytetarët do të përfitojnë nga hapja e kësaj rruge, me zbritjen e çmimit të biletës.
Ai ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për mundësitë e shumta që po u ofron qytetarëve të Kosovës duke ua bërë më të lehtë qëndrimin dhe koston e pushimeve në bregdetin shqiptar.
“ Jam i lumtur të ju informoj se nga sot kompania jonë ‘Sharr Travel’ ka zbritur çmimin e biletave Prishtinë-Sarandë dhe anasjelltas, për 20%. Këtë vendim e kemi marrë pas hapjes së rrugës Kardhiq-Delvinë që konsiderohet një nyje e rëndësishme dhe që shkurton me rreth 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës. Për këtë mundësi e falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama i cili po na e bënë më të lehtë udhëtimin dhe pushimet në bregdet”, tha Kurtishaj për Front Online.
Rruga Kardhiq-Delvinë konsiderohet një nyje e rëndësishme dhe që shkurton me rreth 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës, duke shmangur kështu aksin e vjetër të Qafës së Muzinës.
Ky aks ka një gjatësi prej 33 kilometra.