Ekonomi

Krijimi i ‘Mini-Shenzenit’, Zeka: Kjo zonë ekonomike do të eliminonte barrierat e natyrës politike

Krijimi i ‘Mini-Shenzenit’, Zeka: Kjo zonë ekonomike do të eliminonte barrierat e natyrës politike
12:23 | 24 Qershor 2020

I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në një intervistë ka thënë se, është duke u përpjekur të krijojë Zonën Ekonomike Mini-Shenzen, duke iu referuar zonës së parë të veçantë ekonomike të Kinës si model edhe për marrëveshjet ekonomike që mund të bëhen pas dialogut Kosovë-Serbi në Washington.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen ajrore dhe atë hekurudhore që ishin nënshkruar në fillim të vitit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne bëmë një marrëveshje ajrore, e para ndonjëherë në 21 vjet, një fluturim midis Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës dhe Beogradit, kryeqyteti i Serbisë. Kjo ende nuk është zbatuar plotësisht, por ne kemi marrëveshjen, dhe ne jemi duke punuar në të. Njësoj me marrëveshjen hekurudhore, e cila do të hapte kufijtë për tregti, dhe një marrëveshje të madhe kufitare me trafikun motorik. Çfarë jemi duke u përpjekur të bëjmë është të përqendrohemi në situatën ekonomike, të krijojmë një ‘Zonë Mini-Shenzhen’”, citohet të ketë thënë Grenell.

Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka për Telegrafin ka thënë se krijimi i kësaj zone ekonomike do të eliminonte barrierat e natyrës politike në rajon.

“Nëse përmes zonës forcohet bashkëpunimi ekonomik dhe rritet atraktiviteti para investitorëve të huaj, gjë që do të përmirësonte prospektet për qytetarët e të dyja shteteve, atëherë mund të bëhet e mundshme që gradualisht të eliminohen edhe barrierat e natyrës politike, të cilat shpeshherë kanë ndikuar edhe në gjenerimin e një imazhi jo të mirë për Ballkanin në përgjithësi, si dhe shtetet individuale të këtij rajoni në veçanti. Sinjalet e bashkëpunimit ndërshtetëror do të ndikonin me doemos edhe në përmirësimin e perceptimit që investitorët amerikanë dhe të tjerë do të kishin për tërë rajonin, e me këtë do tejkaloheshin edhe pengesat të cilat kanë ndikuar që këta investitorë të mos e konsiderojnë rajonin në vendimet e tyre për zgjerim”, tha Zeka.

Ai ka shtuar se Ballkani ka nevojë që të demonstrojë stabilitet politik dhe garanci për investitorët.

“Përfundimisht Ballkani ka nevojë që të demonstrojë stabilitet politik dhe rrjedhimisht edhe garanci për investitorët. Kjo, krahas me çrregullimet në zinxhirët globalë të furnizimeve të shkaktuara pas shpërthimit të pandemisë COVID19, do të ishte faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e investitorëve globalë të cilët po konsiderojnë zhvendosjen ose zgjerimin në rajone të reja. Për sa i përket investimeve amerikane në veçanti, tashmë është njoftuar që Korporata Financiare Zhvillimore (DFC) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të financojë me prioritet projektet investive të sektorit privat në Kosovë, gjë që po ashtu do të ndikojë në rritjen e investimeve amerikane në Kosovë”, shtoi ai për Telegrafin.

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, thotë se, krijimi i kësaj zone është shumë i nevojshëm për Kosovën.

“Koncepti i zonës së lirë ekonomike, në të cilën përveç infrastrukturës përkatëse do të ofroheshin edhe lehtësira doganore e tatimore do të ishte një model i mirë i tërheqjes së investimeve të huaja aq shumë të nevojshme për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit. Ky model do të mund të replikohej lehtë edhe në investime të tjera të përbashkëta ndërmjet dy shteteve dhe definitivisht edhe rruga përpara për eliminimin e plotë të të gjitha barrierave teknike në tregti, siç është rasti me dokumentacionet doganore, fitosanitare, transportues, etj.”, tha Zeka.

Zeka për Telegrafin tha se, ka qenë e pritshme që aspektet ekonomike të janë pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Takimet me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë kanë qenë në fokusin kryesor të të Dërguarit të Posaçëm Presidencial për Marrëveshjen e Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambasadorit Richard Grenell gjatë vizitave të tij në Kosovë, e me këtë edhe diskutimi për pengesat në të bërit biznes ndërmjet dy shteteve. Prandaj ka qenë e pritshme që aspektet ekonomike të jenë në thelb të marrëveshjes së paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo për shkak të nevojës për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës që kanë Kosova dhe Serbia, por edhe i tërë Ballkani në përgjithësi”, tha Zeka.

Në fund, ai tha se takimi i radhës në Washington do të ishte një mundësi e mirë për palët që të konfirmojnë gatishmëri për eliminimin e barrierave në fushën e ekonomisë.

“Përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik përmes promovimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, do ta bënte më të lehtë arritjen e një marrëveshje përfundimtare e cila do të kulmonte me njohjen reciproke, dhe rrjedhimisht përmirësimin e perceptimit për tërë rajonin në sytë e investitorëve amerikanë dhe investitorëve të tjerë të huaj. Takimi i ardhshëm në Uashington do të ishte mundësi e mirë që palët të konfirmonin gatishmërinë për eliminim të barrierave në fushën e ekonomisë, e me këtë edhe të ndërmerrnin hapat e parë seriozë drejt një marrëveshje të qëndrueshme të paqes. Takimi do të mund të shërbente edhe për dakordimin e aspekteve teknike të jetësimit të marrëveshjeve për vendosjen e komunikacionit ajror, hekurudhor dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore të arritura para disa muajsh ndërmjet të dyja shteteve”, përfundon Zeka.

Kujtojmë se më 27 qershor delegacionet nga Kosova dhe Serbia do të takohen në Washington për rifillimin e dialogut.

Kush ështe kosovari THE VICTOR që synon tregun e jashtëm? (video)

Të tjera