×
  • Lajme
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Kosova bëhet gati t’i kthejë edhe rreth 100 persona tjerë të mbetur në Siri

    FrontOnline
    05 Nëntor 2019

    Qeveria e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për t’i kthyer në Kosovë rreth 100 kosovarë të tjerë të cilët gjenden në Siri, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë. Ministri në detyrë, Mustafa, tha se nuk mund të jap shumë detaje, por aktualisht po zhvillohen bisedime me Turqinë rreth kthimit të këtyre personave.

    “Në detaje nuk mund të prononcohem. Por, tash jemi shumë të interesuar me shtetin turk, mos ndonjë nga personat (kosovarët) që kanë qenë nëpër kampe ka kaluar në pjesën turke”, tha Mustafa.

    “Përafërsisht dihet numri, por nuk është numër i madh tash, sepse 110 i kemi sjellë në Kosovë. Aty diku sillet edhe numri i personave të tjerë (që pritet të kthehen)”, thotë Mustafa.

    Në muajin prill të këtij viti, institucionet kthyen në Kosovë 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që ishin pjesë e organizatave terroriste në Siri, 32 gra dhe 74 fëmijë.

    Ministri Mustafa tha se institucionet kanë informacione për personat që gjendën në Siri dhe që pritet të kthehen në Kosovë. Sipas tij, në këtë grup ka më shumë luftëtarë për dallim prej operacionit të parë të realizuar në muajin prill, përmes së cilit në Kosovë ishin kthyer vetëm katër luftëtarë.

    “Në kontingjentin e dytë ka më shumë persona që kanë marrë pjesë në luftë, por megjithatë më shumë ka fëmijë dhe gra”, tha Mustafa.

    Kthimi i 110 kosovarëve në muajin prill ishte bërë përmes ndihmës së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në partneritet me SHBA-në, autoritetet e Kosovës po e planifikojnë edhe operacionin e ri, mirëpo për afatet kohore dhe mënyrën e zhvillimit të operacionit, ministri Mustafa refuzoi të tregojë apo jep më shumë informata.

    “Sikurse që ka qenë i kaluari. Do të thotë ne e marrim përgjegjësinë e integrimit, transferimit, të mbajtjes 72 orësh, transferimit nëpër vendbanimet e tyre. Nëse ka persona që nuk kanë vendqëndrim të përhershëm, për shembull nëpër familjarë ose diku, ju organizojmë edhe vendbanim të përhershëm. Është një fond i posaçëm që është i destinuar vetëm për këtë problematikë”, thotë Mustafa.

    Njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë, thonë se është i domosdoshëm verifikimi i rrezikshmërisë për çdo person që mund të kthehet nga Siria në Kosovë, sidomos atyre që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupeve terroriste.

    Shpat Bala nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se integrimi i personave të kthyer është sfidë e madhe për Kosovën, pasi ende nuk dihet nëse ka sukses riintegrimi i grupit të parë prej 110 kosovarëve që u kthyen nga Siria në muajin prill të këtij viti.

    “Mendoj se duhet të ndodh siç ka ndodhur me procesin e parë, ku veçse e kanë bërë njëfarë vlerësimi për gratë të cilat janë kthyer dhe ende janë duke vazhduar hetimet. Pra, unë mendoj që duhet pasur pak a shumë të njëjtën qasje që para se të vijnë këta persona në Kosovë, duhet të vlerësohet rrezikshmëria e tyre dhe duhet që rrjedhimisht të zbatohet ligji që shumica prej tyre i bjen se duhet të vuajnë dënimet për veprat që lidhen me terrorizimin dhe pjesëmarrjen në luftërat e huaja”, tha Bala.

    Suksesi i procesit të riintegrimit të të kthyerve nga Siria, sipas Shpat Balës nga QKSS, varet edhe nga faktorë të tjerë, siç janë, gatishmëria e shoqërisë që t’i pranojë këta persona në komunitetin e tyre e po ashtu edhe nga fakti se sa institucionet do të krijojnë mundësi të kontrollit e më pastaj edhe sistemimit të tyre në tregun e punës.

    Puna më e vështirë për institucionet, sipas Balës, do të jetë me luftëtarët e huaj që mund të kthehen në Kosovë, marrë parasysh se disa të tillë që janë aktualisht në burgje duke vuajtur dënimet, kanë refuzuar programet e riintegrimit.

    “Disa nga aktivitetet që janë ndërmarrë brenda burgjeve veçse janë refuzuar nga të burgosurit, siç është ligjërimi i imamëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Për këtë arsye mendoj se duhet që institucionet të jenë më të koncentruara në Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që t’i ofrojnë mekanizmat e nevojshëm që të jetë i mundur riintegrimi i këtyre personave”, tha Bala.

    Nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2012, drejt Sirisë dhe Irakut udhëtuan rreth 400 kosovarë duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

    Më shumë se 70 kosovarë u vranë duke luftuar krah organizatave terroriste, përkatësisht, grupit militant Shteti Islamik (IS).

    Personat që arritën që të kthehen në Kosovë u përballën me procese gjyqësore, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënimet, ndërkohë që duke u hetuar janë edhe 32 gratë që u kthyen në muajin prill nga autoritetet kosovare./Front Online/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni19 Janar 2025
    Një aksident mes dy veturave ka ndodhur sonte në Durrës, ku njëra prej tyre ka përfunduar në kanal. Bëhet e ditur se...
    Lajme19 Janar 2025
    Në kuadër të vizitës në SHBA, kryetari i AAK dhe kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim pune me Richard Grenell,...
    Lajme19 Janar 2025
    Në një takim të rëndësishëm me punonjësit shëndetësorë të Kosovës, Elmi Reçica, kandidati për deputet nga PDK, prezantoi vizionin për një shëndetësi...
    Të tjera
    Vip19 Janar 2025
    Sara nuk ka miratuar një dëshirë të shprehur të Drilonit sonte, i cili tha se do t’i lyente flokët. Nuanca që ai...
    Bota/Rajoni19 Janar 2025
    Melania Trump, modelja e suksesshme sllovene që rikthehet si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, u vendos në qendër të vëmendjes...
    Vip19 Janar 2025
    Luiz Ejlli ka publikuar një këngë të re. Kënga me titull “A ke zemër” vjen e shoqëruar me videoklip dhe në duet...
    Vip19 Janar 2025
    Sara nuk ka bagazh për asnjë gjë, është shprehur Rezi. Gjatë një diskutimi me Xhenetën, nuk pati fare vlerësim të mirë për...
    Bota/Rajoni19 Janar 2025
    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha do të paraqitet nesër në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për çështjen partizani. Kryetari i...
    Lajme19 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur emocionet e tij të thella pas një tubimi madhështor në Rugovë. Abdixhiku e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.