
Komuna e Malishevës qysh në fillim të shfaqjes së virusit COVID-19 në Kosovë, u bë vatër e përhapjes së tij.
Me gati 80 qytetarë të infektuar, Malisheva për thuajse 7 javë qëndroi në karantinë dhe e izoluar totalisht për pjesën tjetër të vendit. Megjithëkëtë po del që kjo komunë e ka menaxhuar mjaft mirë situatën , raporton “Front Online”.
Kryetari i kësaj komunë Ragip Begaj ka thënë për “Front Online”, se deri më tani 55 qytetarë të prekur me Coronavirus janë shëruar, teksa rreth 7 pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.
“Gjendja e të infektuarve në Komunën e Malishevës është e mirë. Se sa janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive nuk e di saktë. Besoj që janë 6 ose 7 pacientë. Pjesa tjetër e të infektuarve janë të vetizoluar në shtëpitë e tyre. Gjendja e tyre është e mirë dhe stabile”, ka thënë Begaj për “Front Online”.
Për sa i përket gjendjes së përgjithshme në komunën e Malishevës, Begaj ka theksuar se është e mirë.
“Në përgjithësi në Malishevë gjendja është e mirë. Nga 78 të infektuar, 55 prej tyre janë shëruar nga ky virus”, ka thënë ndër të tjera Begaj.
E sot në këtë komunë janë marrë mostrat edhe për disa familje, që sipas Begajt janë raste kontakti.
“Janë marrë edhe sot mostra të reja. Në mbrëmje pritet të dalin rezultatet. Janë 4-5 raste të hemodializës. Pra janë të familjarëve të tyre dhe mbetet të shihet në mbrëmje se si po dalin rezultatet për ta”, ka thënë ai, për “Front Online”.
Në ndërkohë për shkak të numrit të lartë të të shëruarave, Malisheva ka kërkuar që të hiqet nga karantina. Në këtë qytet edhe numri i rasteve me Coronavirus ishte i pakët gjatë javës që shkoi.
Në total në Kosovë sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, me virusin COVID-19, janë prekur 780 persona. Prej tyre 201 janë shëruar teksa zyrtarisht janë regjistruar edhe 22 vdekje./Front Online/