
Klubi i Prodhuesve të Kosovës proteston ashpër kundër veprimit të autoriteteve serbe, të cilat kanë bllokuar transportuesit e mallrave që vijnë nga Kosova.
Një veprim i tillë është i papranueshëm për Klubin e Prodhuesve dhe tregon edhe mungesën e vullnetit nga ana e autoriteteve serbe që t’i kthehen normalitetit dhe tregtisë sipas marrëveshjeve. Gjithashtu, një veprim i tillë është ende më i papranueshëm kur kemi parasysh pandeminë në të cilën po kalojmë. Ky veprim vetëm tregon sjellje jo të dinjitetshme nga ana serbe, ku ka një pajtueshmëri që këto ditë të mos ketë pengesa në qarkullimin e mallrave, në bazë të praktikave të miratuara nga CEFTA për korridorin e gjelbër.
Edhe një herë ne shprehim reagimin tonë kundër çdo pengese ose barriere që u bëhet produkteve kosovare dhe besojmë në tregtinë e lirë, por po ashtu besojmë se duhet të respektohen parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e ndryshme tregtare.