Kryeministri britanik, Boris Johnson pritet të njoftojë sot një lehtësim të mëtejshëm të masave të izolimit si pasojë e koronavirusit duke lejuar hapjen e klubeve dhe restoranteve nga 4 korriku.
”Masa gjithashtu do të lejojë hapjen e kinemave dhe muzeve si dhe do të rishikohet rregulli i distancës prej dy metrash”, njoftuan mediat britanike.
Johnson mori dje pjesë në një takim me komitetin e qeverisë për strategji të COVID-19, ku u diskutua për ndryshime.
“Por, sa më shumë të hapemi, aq më e rëndësishme është që të gjithë ndjekin udhëzimet për distancë sociale. Nuk do të hezitojmë t’i kthejmë përsëri këto hapa, nëse është e nevojshme për të ndaluar virusin”, sipas një burimi nga Downing Street.
Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock deklaroi të hënën se virusi ishte duke u zmbrapsur./atsh/