Ish’presidentja, Atifete Jahjaga ka bërë të ditur se është takuar sot me Lumin, djaloshin nga Kosova, që ka koeficient të inteligjencës 145.
Jahjaga ka thënë se Lumi qysh nga mosha 2-vjeçare ka shfaqur nivel të inteligjencës jo të zakonshme me fëmijët e moshës së tij.
“Ishte kënaqësi e veçantë që të pres në vizitë Lumin, një djalosh kurioz i cili premton shumë për të ardhmen e vendit tonë. Lumi ka treguar inteligjencë mbi mesatare me koeficient të inteligjencës 145 dhe është pjesë e Institutit “Atomi”. Pasuria më e madhe e Republikës së Kosovës janë fëmijët inteligjentë si Lumi. Mirëpo, na takon neve që këtë pasuri ta përkrahim duke i ofruar të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin intelektual”, ka shkruar ajo.
Jahjaga ka bërë thirrje që fëmijët si Lumi të përkrahen.
“Lumi qysh nga mosha 2 vjeçare ka shfaqë një nivel të inteligjencës jo të zakonshme me fëmijët e moshës së tij. E fëmijët si Lumi, të cilët e di që nuk janë pak në numër, duhet përkrahur që inteligjencën e tyre ta sfidojnë në kushte dhe mundësi të duhura. Lumi – Ajnshtani i kohës moderne, shpresoj që në të ardhmen, ta vendosësh Kosovën në harten e gjenive botëror”, ka shkruar ajo.