Kryesia e Kuvendit ka vendosur në mbledhjen e sotme për caktimin e tri seancave të ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Në njërën nga seancat është edhe diskutimi për votimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Ideja e tërheqjes së kursimeve pensionale, sipas ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri është kthyer në presion dhe inate nga opinioni publik.
Sipas ish-ministrit Shatri, Qeveria do duhej të merr masa që të parandalojë tërheqjen e mjeteve të qytetarëve nga Trusti pensional.
“Çështja e Trustit është politizuar shumë dhe Ministrat e Financave nuk kanë dëshirë të bëjnë tërheqjen e mjeteve, por opinioni e kanë marr këtë çështje si me inate dhe po bëjnë presion veç me i marr parat dhe me u kthyer kundër opinionit nuk është punë e mençme. Më mirë kish qenë Qeveria me marr masa të tjera dhe mos t’iu duhej qytetarëve me i tërheq parat e veta sepse këto para nuk janë të Qeverisë por te qytetarëve. Mundet me heq akcizën për një kohë të caktuar 2-3 muaj deri të fillojnë të bien çmimet e naftës shumë mundësi ka Qeveria me marr masa të përkohshme pa e dëmtuar buxhetin”, përfundoi ai.
Shatri ka deklaruar për Front Online se tërheqja e më shumë se 200 milionë euro nga Trusti, do ta dëmtonte këtë institucion.
“Varet në çfarë forme do të bëhet tërheqja e mjeteve nga Trusti. Në tri variante duhet të dihet se çfarë shume do të tërhiqet për të ditur se sa dëmtohet Trusti se nëse tërhiqen 100 apo 200 milionë ai nuk dëmtohet por nëse duhet të hiqen edhe mjetet rezervë që i kanë deponuar diku në institucione tjera atëherë nëse është shuma e madhe dëmtohet Trusti, por nëse ka shuma të vogla nuk dëmtohet se ka qarkullime dhe për një muaj apo dy sigurohen në të hyrat e reja ata që e menaxhojnë Trustin duhet ta dinë këtë gjë”, potencoi Shatri.
I pyetur se a duhet ta votojnë deputetët këtë nismë, Shatri ka thënë se nëse mendojnë të marrin votat përsëri do t’i dëgjojnë kërkesat e qytetarëve.
“Deputetët e kanë të drejtën personale të votojnë ata e marrin të drejtën e qytetarëve ata votojnë në emër të votuesve të vet kjo punë është politikë. Nëse deputetët mendojnë që kanë dëshirë votuesit me votuar po, ata votojnë për po, nëse mendojnë që votuesit thonë jo, ata votojnë për jo, pasi ata mendojnë që t’i marrin votat edhe njëherë, partia politike ndikon në vendim dhe lideri i një partie”, u shpreh Shatri.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Coronavirusi./Front Online