×
  • Lajme
  • Lajme

    “Inject” – deputetëve: Mos e votoni Kodin Civil, e dyfishon shtypjen ndaj grave

    FrontOnline
    10 Korrik 2020

    Organizata ”Inject”, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i japin përkrahje ndryshimeve të bëra në Kodin Civil së fundmi nga Ministria e Drejtësisë (MD).

    Sipas tyre, me këto ndryshime është kthyer në pikën zero betejën e grave për barazi në vend, raporton EkonomiaSot.

    Reagimi i plotë i Inject – Initiative for Justice and Equality

    REAGIM PUBLIK:

    KODI CIVIL DYFISH E CEMENTON SHTYPJEN NDAJ GRAVE

    Kodi Civil, i proceduar në Qeveri dhe që pritet të dërgohet për votim në Kuvend, do të jetë i dëmshëm jo vetëm për gratë dhe fëmijët, por për të gjithë vendin.

    Kodi Civil e ka kthyer në pikën zero betejën për sigurimin e qasjes së barabartë në të drejtat pronësore dhe pasurore të grave dhe madje e ka bërë mundësinë për diskriminim të grave edhe më të madh, duke e futur në Kod kontratën paramartesore dhe martesore për ndarjen e pasurisë. Kjo e pamundëson zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të Kosovës, sepse i len gratë pa qasje të garantuar në pasuri dhe rrjedhimisht ato nuk mund të jenë akterë aktivë ekonomikë.

    Kodi Civil, edhe pse e kanë pasur për obligim profesional, etik dhe moral, qëllimshëm nuk i ka përfshirë ndryshimet pozitive të arritura në vitin 2019 me ndryshimin e Ligjit për Familjen, ku puna me fëmijë dhe mirëmbajtje të shtëpisë është konsideruar e barasvlefshme me punën e paguar të bashkëshortit të punësuar.

    Kodi Civil dyfish e ka cementuar mundësinë e shtypjes ndaj grave, duke mos e përfshirë ndryshimin e Ligjit të vitit 2019 në njërën anë dhe duke shtuar edhe kontratën paramartesore dhe martesore në anën tjetër.

    Këto kontrata për ndarjen e pasurisë bashkëshortore të krijuar gjatë martesës do të mund të bëhen para martesës, por edhe në çdo kohë gjatë martesës. Këtë e kanë bërë, duke e ditur fare mirë pozitën e palakmueshme të grave të Kosovës, ku vetëm 13.7 % të tyre janë të punësuara, dhe ku presioni shoqëror për tu martuar dhe për t’iu nënshtruar diktatit të burrit ende është prevalent dhe ku lindja e një fëmije, kombinuar me mundësinë e lidhjes së kontratës për ndarje të pasurisë edhe gjatë martesës e vendosë gruan kosovare në një pozitë shah-mat, ku ajo nuk ka rrugëdalje pos të pranojë çfarëdo propozimi nga ana e burrit, përkundër që pa atë kontratë asaj do t’i takonte gjysma e pasurisë. Kjo kontratë për ndarjen e pasurisë sipas Kodit Civil mund të bëhet në çdo kohë edhe gjatë martesës, pra edhe në momentin kur gruaja i ka 3 apo 4 fëmijë dhe burri kur e sheh se po fillon të fitojë më shumë të ardhura dhe mbase edhe e ka në plan ta përfundojë martesën dhe të marrë një partnere tjetër, e ka pozitën shumë më të favorshme për të bërë presion mbi gruan. Kjo kontratë nuk është futur në ligj për ta siguruar pasurinë që është krijuar pa ndihmën e bashkëshortit para martesës, por pikërisht që t’ia pamundësojë qasjen në pasurinë e përbashkët të krijuar gjatë martesës për bashkëshortin/en që kujdeset për fëmijët. Kjo kontratë është cementimi i dytë dhe shumë i dëmshëm për gratë dhe një hap që do ta dërgojë shumë larg prapa avancimin e grave në Kosovë.

    Kodi Civil është reaksionar, sepse jo vetëm po e kthen në pikën e mëparshme ligjin, por po e bën edhe më diskriminues se që ka qenë në verzionin e vitit 2004.

    Të vetmin ndryshim që Kodi Civil e ka bërë në krahasim me verzionin e vitit 2004 është se në nenin 1169 (Vendbanimi, ekonomia familjare, profesioni), në paragrafin 4, thekson [gabimet në drejtëshkrim në citimet pasuese janë të Kodit Civil, jo të miat!) se „Bashkëshortët martesorë bashkërisht kontribuojnë në mirëmbajtjen e familjes në përpjestim me aftësitë e tyre individuale. Kontribut i përbashkët i bashkëshortëve konsiderohet si udhëheqja e ekonomisë familjare ashtu edhe fitimet tjera të nevojshme për jetën e familjes dhe prezumohet se ata janë pjesmarrës të barabartë me kontributet e tyre në shpenzimet familjare.“ Kjo prapë e sjell gjykatën në situatën kur njëra palë mund të thotë se sipas „përpjestimit me aftësitë e tyre individuale“ pjesët e bashkëshortëve në pasurinë e përbashkët NUK MUND TË JENË TË BARABARTA dhe se kanë qenë „pjesmarrës të barabartë në shpenzimet familjare“, por jo edhe në fitimet.

    Kodi Civil, duke e shkelur parimin e ndarjes 50/50 të pasurisë së përbashkët të kodifikuar me Ligjin për Familjen e ka futur pra dallimin e punëve “sipas aftësive individuale” me qëllim që vlera e punës së bashkëshortes/it, e cila përkujdeset për fëmijët dhe shtëpinë, të mos llogaritet si e mjaftueshme për të pasur të drejtë në gjysmën e pasurisë.

    Kodi Civil nuk e ka larguar nga neni përkatës gabimin teknik, i cili ju ka pamundësuar grave të marrin mbajtje financiare dhe të cilin e patëm rregulluar me ndryshiminbe Ligjit për Familjen të vitit 2019.

    Mohimi i qasjes në pasurinë dhe mbajtjen financiare që ju ka takuar sipas Ligjit për Familjen, ka shpjerë shpeshherë në dhunë ndaj grave dhe në vdekjen e tyre, sepse ato nuk kanë pasur mundësi të largohen nga një martesë abuzive.

    Kosova ka nevojë për avancim, jo për degradim të proceseve. Ky Kod Civil nuk është bërë për të gjithë qytetarët. Ky Kod Civil është bërë vetëm për ata burra që nuk e kuptojnë rëndësinë e avancimit të grave dhe e marrin në qafë një popull të tërë.

    Ju bëjmë thirrje Kryetares së Kuvendit, grave deputete dhe të gjithë deputetëve burra që e duam avancimin e Kosovës, që ky Kod Civil të mos votohet pa u përfshirë ndryshimet e arritura bashkarisht në Kuvend me ndryshimin e Ligjit për Familjen.

    Ju bëjmë thirrje të gjitha grave dhe vajzave dhe djemve e burrave të revoltohen dhe të protestojnë kundër anulimit që ia bën ky Kod Civil arritjeve tona shoqërore në raport me të drejtat pasurore të bashkëshortëve, gjë që do të kontribuojë në dhunën ndaj grave dhe stagnimin shoqëror.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Besart Dreshaj, kryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka theksuar se mosbashkëpunimi i Qeverisë me përfaqësuesit e bizneseve ka krijuar një...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pesë persona vdiqën të premten mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë, pas një sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjes atje. Në mesin...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka theksuar se përkundër premtimeve të shumta, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit se Starlink është funksional tani edhe në territorin e Kosovës. Ai ka thënë...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Qeveria e Shqipërisë bëri të ditur një ditë më parë se ka vendosur që të mbyllë për një vit platformën TikTok, si...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sigurim të kushteve të dinjitetshme të punës, çdo vend pune me kontratë, kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Një person është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë, konkretisht në lagjen Vetërnik. I dyshuari derisa ka qenë duke lëvizuar me...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Spektakli më i madh dhe fenomenal që ka thyer rekorde shikueshmërie, “Big Brother VIP 4”, tashmë ka startuar. Mbrëmjen e së shtunës,...
    Sport22 Dhjetor 2024
    Peja ka fituar derbin e javës së 13-të të Superligës, duke mundur Trepçën me shifrat 65:64 (27:17, 17:14, 10:23, 11:10). Vendasit e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.