Kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani, është takuar me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën tha kanë folur për forcim të bashkëpunimit mes institucioneve, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Kënaqësi të ndanim me të diskutime frytdhënëse mbi forcimin e bashkëpunimit me institucionet e reja të dala nga zgjedhjet lokale, me faktorët politikë, socialë dhe ekonomikë në Luginën e Preshevës, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve”.
Hasani tha se ka rikonfirmuar vëmendjen nga shteti i tij për problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Serbi.
“Rikonfirmova vëmendjen dhe angazhimin e veçantë të Qeverisë së Shqipërisë ndaj zhvillimeve në Luginën e Preshevës dhe problematikave me të cilat përballen shqiptarët atje. Jo vetëm mbështetje politike por edhe nisma konkrete, përmes projektesh zhvillimore, në fushën e ekonomisë, të arsimit, kulturës dhe punësimit”, ka shkruar ai.
Së fundi, në Luginë të Preshevës shqiptarët kanë protestuar për të drejtat e tyre dhe për diskriminimin nga shteti serb./