Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka treguar se edhe sot ishte si pikë e rendit të ditës votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili ka dështuar për herë të tretë.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se këtë ligj nuk e votuan VV dhe PDK.
“Në punimet e Kuvendit të Kosovës edhe sot ishte si pikë e rendit të ditës votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, për fat të keq as sot nuk u votua nga grupet parlamentare VV dhe PDK”, ka shkruar ajo.
Më tej, ajo ka thënë se qëllimi i këtij ligji është mbi interesat partiake.
“Qëllimi i këtij ligji është mbi secilin interes partiak. Bashkë me ligjin për lehtësira ekonomike, ky ligj është çelës që të ndihmojmë bizneset e Kosovës, indirekt të ndihmojmë qytetarët e vendit”.
Ajo ka thënë se me shumë shqetësim ka marrë edhe pyetje nga qytetarët se kur do të votohet ky ligj.
“Me shumë shqetësim po pranojmë pyetje nga qytetarët e shqetësuar dhe që po presin “teket e deputetëve” Pse?, dhe kur do të kaloj kjo Pako e Rimëkëmbjes”, ka shkruar ajo.