Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar sot një takimin virtual me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Aviacionit të St. Kitts dhe Nevis, Mark A. G. Brantley.
Ministrja Haradinaj-Stublla ka shprehur konfirmimin për rigjallërim të marrëdhënieve me shtetet njohëse, me theks të veçantë, ato shtete që nuk ndryshuan qëndrim ndaj shtetësisë së Kosovës, pavarësisht presionit.
“Në takimin virtual sot me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Aviacionit të St. Kitts dhe Nevis, Z. Mark A. G. Brantley, konfirmova angazhimin tonë për rigjallërimin e marrëdhënieve me të gjitha shtetet njohëse, e veçanërisht me ato që nuk ndryshuan qëndrimin parimor për njohjen e Kosovës pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm.”, ka theksuar Haradinaj-Stublla.
Shefja e diplomacisë kosovare, ka falënderuar shtetin e St.Kitts dhe Nevis për mbështetjen ndaj Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e plotë për thellimin e bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në fushën e turizmit.
“E falënderova homologun për mbështetjen e vazhdueshme të St. Kitts dhe Nevis për Kosovën, dhe e sigurova për gatishmërinë tonë për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe në temat e interesit të përbashkët si bashkëpunimi ekonomik dhe turizmi.”, ka përfunduar kryediplomatja Haradinaj-Stublla.