Gjykata speciale për Libanin, e cila ka mbështetjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njoftoi sot se nuk ka prova se udhëheqja e Hezbollahut ose e qeverisë Siriane të jetë e përfshirë në vrasjen e vitit 2005 të ish-kryeministrit të Libanit, Rafik al-Hariri.

Katër anëtarë të lëvizjes shiite që kanë mbështetjen e Iranit janë akuzuar për komplot që të kryejnë një sulm të madh me bomba, në të cilën Hariri dhe 21 persona të tjerë u vranë, raporton France 24.

Hariri, një mysliman suni dhe miliarder, ka mbajtur lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, Perëndimin dhe vendet arabe suni në rajonin e Gjirit Persik. Ai u konsiderua një kërcënim për ndikimin e Iranit dhe Sirisë në Libanit, transmeton Telegrafi.

Ai drejtoi aksionin për rindërtimin e Bejrutit pas luftës civile për 15 vjet, gjegjësisht 1975-1990.

“Dhoma Gjyqësore beson se Siria dhe Hezbollahu mund të kenë pasur një motiv për të eleminuar Haririn dhe aleatët e tij politikë, por nuk ka asnjë provë që udhëheqja e Hezbollahut të jetë përfshirë direkt në vrasjen e Haririt dhe nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë të përfshirjes siriane”, tha gjykatësi David Re.

Hezbollah ka mohuar më parë përfshirjen në çfarëdo mënyre në bombardimet e 14 shkurtit 2005.

Ndryshe, vrasja e Haririt e shtyu Libanin në krizën më të madhe që nga lufta dhe pasoi një konfrontim shumë-vjeçar midis forcave politike rivale.