×
  • Lajme
  • Lajme

    Frikë e hezitim te çiftet bashkëshortore në Kosovë që të nisin fëmijë në pandemi

    FrontOnline
    23 Korrik 2020

    Vdekja e shtatzënave të prekura me COVID-19, të porsalindurit me koronavirus në Kosovë, si dhe në shtetet e tjera të botës kanë shkaktuar panik te çiftet bashkëshortore, të cilët po presin lindjen e një fëmije. Planifikimi i një fëmije tjetër nuk është më në plan te shumë familje kosovare në rrethanat e pandemisë. Janë sidomos gratë kosovare ato që po hezitojnë të mbesin shtatzënë nga frika e infektimit me koronavirus.

    Pandemia po ndikon që edhe të sapomartuarit të mos nguten për krijimin e familjes. Në pritje se ndoshta koronavirusi do të shuhet nataliteti po rrezikohet të pësojë rënie në Kosovë.

    Ministria e Shëndetësisë e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) deri më tash nuk kanë dalë me mesazh ose me rekomandim lidhur me këtë çështje.

    Sipas gjinekologëve, nuk ka nevojë për panik. Ndonëse ende nuk dihet se çfarë ndikimi mund të ketë koronavirusi në rrjedhën e shtatzënisë, ata thonë se që nga muaji mars kur u paraqiten shtatzënat e para pozitive në koronavirus nuk është vërejtur se ka rritje të numrit të aborteve ose të anomalive fetale.

    “Një shtatzënë dhe një lehonë kanë ndërruar jetë të prekura nga COVID-19”, thotë Jakup Ismajli, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

    Megjithëkëtë, ai nuk sheh asnjë arsye që një grua të ketë frikë që për shkak të pandemisë të mos mbesë shtatzënë. Ai thotë se virusi i atakon të gjitha shtresat, sikurse fëmijët, të rriturit, po ashtu edhe shtatzënat.

    Prandaj, sipas tij, shqetësimi dhe hezitimi te një çift që do të planifikojë nisjen e një fëmije nuk duhet të ekzistojë. “Nuk ka asnjë arsye që një çift të hezitojë për shkak të pandemisë që gruaja të mbetet shtatzënë”, ka thënë ai.

    Deri sot në këtë klinikë janë kryer trembëdhjetë lindje me COVID-19 pozitive. “Tetë lindje janë kryer me prerje cezariane, pesë lindje janë kryer lindje normale. Nesër është në program edhe një lindje me prerje cezariane. Nga këto lindje të gjitha foshnjat kanë rezultuar negative”, ka thënë Ismajli.

    Gjinekologu Memli Morina thotë se ky virus akoma nuk njihet plotësisht dhe nuk dihet se çfarë ndikimi mund të ketëë në rrjedhën e shtatzënisë.

    Sipas tij, këshillat për gratë mund të ndryshojnëë nga dita në ditë varësisht nga faktet shkencore që zbulohen.

    Morina tregon se muajin e kaluar “Center for Disease Control and Prevention” e publikoi një studim, ku tregohet se shtatzënat ka më shumë gjasa që të zhvillojnë forma të rënda të COVID-19, të krahasuara me gratëë joshtatzëna të së njëjtës moshë.

    “Që nga pranvera e hershme kur filluam t’i kemi shtatzënat e para pozitive në koronavirus nuk kemi vërejtur se ka rritje të numrit të aborteve ose të anomalive fetale, ndonëse në Francë është publikuar një studim, sipas të cilit fryti mund ta marrë koronavirusin nga nëna përmes placentës gjatë shtatzënisë”, thotë gjinekologu Morina.

    Ai ka thënë për “Zërin” se duhet të merret parasysh edhe fakti se si ndikon pandemia në sistemin shëndetësor, vështirësitë që shtatzëna ta marrë kujdesin e rekomanduar gjatë shtatzënisë (ekzaminimet dhe analizat e rekomanduara), si dhe lindjen e sigurt.

    “Nëse mbetet si opsion shtyrja e shtatzënisë për më vonë, askush nuk mund ta dijë se kur do të jetë një periudhë e përshtatshme. Me sa duket do të duhet të ballafaqohemi me këtë koronavirus edhe për shumë kohë. Nuk ka nevojë për panik dhe nuk konsideroj se paraqet problem të madh shtatzënia në këtë periudhë, por duhet të konsultohet vazhdimisht mjeku”, ka thënë Morina.

    Imri Zabeli, psikolog klinik, thotë se si rezultat i pandemisë dhe frikës se infektimit me COVID-19 nënat shtatzëna ndihen të pasigurta t’i bëjnë kontrollet e rregullta gjinekologjike.

    “Sa u përket planifikimeve për të filluar një shtazani te re, konsideroj që më shumë se frika nga infektimi me COVID-19, është frika nga paqëndrueshmëria ekonomike, humbja e vendeve të punës”, thotë Zabeli.

    Hezitimi për të nisur fëmijë ai thotë se nuk duhet të jetë prezent. Sipas tij, në përgjithësi statistikat tregojnë për një numër relativisht të ulët të grave shtatzëna që janë prekur nga COVID-19 ose të atyre që kanë humbur betejën me COVID-19.

    Për sociologun Ferdi Kamberi studimet flasin se jo vetëm në kohën e pandemisë, por në përgjithësi ka ulje të natalitetit në shoqërinë kosovare.

    “Një gjë e tillë vërehet edhe nga të dhënat zyrtare, të cilat flasin se aktualisht mesatarja e fëmijëve është diku 2,5, që në raport me të kaluarën, përkatësisht në vitet e ’90-ta, ka qenë diku 5,5. Kjo ulje e natalitetit mund të prodhojë pasoja negative si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë, sepse mosplanifikimi familjar dhe shtyrja e martesës bën që mundësia për pjellshmëri të jetë më e vogël dhe nëse një shoqëri nuk ka natalitet konform planifikimeve familjare, atëherë rritet mortaliteti dhe një gjë e tillë reflekton vetëm si barrë për shtetin”, thotë ai për Zërin.

    Frika e grave, të cilat hezitojnë të nisin fëmijë në këtë kohë për shkak të pandemisë globale koronavirusit, ai thotë se lidhet me pandeminë, me faktorët socio-ekonomikë, si dhe me pasigurinë sociale se çka do të prodhojë e ardhmja.

    Kamberi thotë se institucionet shtetërore e sidomos ato shëndetësore duhet të udhëzojnë popullatën lidhur me planifikimin familjar në gjendje pandemie.

    Numri i lindjeve të gjalla të ndodhura brenda territorit të Kosovës në vitin 2018 ishte 22,761 lindje. Në vitin 2019 numri i lindjeve ka shënuar rënie. Në Klinikën Gjinekologjike në vitin 2019 kanë qenë 9.622 foshnje, që duke e krahasuar me vitin paraprak (2018) ka një rënie për 600 foshnje më pak.

    Nga Rubrika
    Lajme04 Mars 2026
    Mbledhja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje duket se ka përfunduar. Kjo pasi që deputetët e kësaj partie janë parë teksa dalin...
    Lajme04 Mars 2026
    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ngushëllon familjen Maliqi nga Korrotica e Ulët e Drenasit, me rastin e ndarjes nga jeta të humanistit...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari, ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes si...
    Të tjera
    Lajme04 Mars 2026
    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se janë 4-5 kandidatë që janë përmendur për postin e presidentit derisa deklaroi se në...
    Lajme04 Mars 2026
    Emri i ish-presidentes Atifete Jahjaga, është lakuar së fundmi rreth çështjes së zgjedhjes së shefit/es së shtetit, tani kur Kosova ka hyrë...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se SHBA-ja dhe Izraeli sapo kanë nisur sulmet ndaj Iranit dhe se priten valë...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi këtë të mërkurë ndrsyhimet në qeveri, të propozuara nga kryeministri Edi Rama. Belinda Balluku lë kabinetin...
    Lajme04 Mars 2026
    Emri i Justina Pulës është përmendur sot në media si e propozuar nga PDK-ja për postin e presidentes. Rreth kësaj çështjeje, ka...
    Lajme04 Mars 2026
    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka mohuar se partia e tij ka një kandidat për President pas disa raportimeve se kryeakademikja Justina...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.