×
  • Lajme
  • Lajme

    Eset Berisha reagon: Kurti më shkarkoi për shkak se nënshkrova marrëveshjen për linjën ajrore që e ndërmjetësoi Grenelli

    FrontOnline
    13 Maj 2020

    Drejtori i shkarkuar i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, e ka quajtur “të jashtëligjshëm” vendimin e marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës, të martën, për shkarkimin e tij.

    Ai thotë se arsyeja e vetme e shkarkimit, është krejtësisht politike dhe lidhet me “nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për linjën Prishtinë-Beograd në Ambasadën e SHBA-ve në Berlin, me 20 janar te këtij viti”.

    Berisha në reagimin e tij po ashtu shkruan se vendimin për shkarkim e ka kuptuar prej medieve, teksa i ka elaboruar arsyet që janë dhënë për këtë gjë.

    Ai ka paralajmëruar një konferencë shtypi, në orën 11:00.

    “Ndër arsyet e shkarkimit, të cilat rrjedhën nga mediat, sepse vendimi nuk është publikuar ende, thuhet se kam nxjerrë rregulloren e brendshme në kundërshtim me ligjin, se kam degraduar stafin menaxhues dhe kam mbajtur pozita tjera me pagesë dhe se kam rrezikuar Qeverinë e Kosovës me një proces arbitrazhi ndërkombëtar”, shkruhet në reagimin e Berishës.

    Sa i përket rregullores së brendshme, si shkruan ai në vazhdim, ajo “është hartuar dhe nënshkruar plotësisht në pajtim me nenin 41 dhe 42 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura”, teksa vazhdon se janë respektuar të gjithë hapat për “nxjerrje të rregullores së një agjencie të pavarur e cila i raporton Kuvendit të Kosovës”.

    Berisha në reagimin e tij i ka dhënë edhe sqarimet e veta karshi “sistematizimit dhe klasifikimit të vendeve të punës në AAC”, duke thënë se një gjë e tillë “ka qenë kërkesë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të vitit 2014 dhe Auditorit të Brendshëm të vitit 2018”.

    Berisha, i shkarkuar të martën mbrëma me rekomandim të Zyrës së Kryeministrit, ka qenë këshilltar politik i Pal Lekajt. Ai kishte qenë personi që nënshkroi marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Berlin.

    Ai në reagim ka treguar se gjatë kohës sa ka qenë këshilltar i Lekajt, ka mbajtur pozitën e anëtarit të njësisë mbikëqyrëse të projektit të autostradës Prishtinë-Han i Elezit, si dhe ka qenë kryetar i Komitetit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Këto dy pozita i kam ushtruar edhe pas emërimit si drejtor i përgjithshëm i AAC-së. Asnjëra dhe as tjetra nuk janë në kundërshtim me ligjin për aviaiconin civil dhe as me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Emërimi në pozitën e drejtorit të përgjithshëm është bërë në pajtim me nenin 20 të Ligjit për Aviacionin Civil, si në rastin tim ashtu edhe në rastin e ish drejtorit të përgjithshëm”, shkruan ai.

    Lidhur me arsyen e arbitrazhit, shkruan në vazhdim Berisha, “nëse Qeveria e Kosovës mendon se duhet të ketë shmangie nga zbatimi i ligjeve te Republikës së Kosovës dhe akteve nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve, për shkak të interesave të palëve të cilat kërcënojnë me procese arbitrazhi nëse preken interesat e tyre, atëherë një gjë e tillë është e papranueshme për një shoqëri ku sundon ligji”.

    “Rregullat e BE-së të zbatueshme në vendin tonë kërkojnë që pasi një aeroport të kalojë pragun prej 2 mil. udhëtarëve, duhet të ketë të paktën dy operatorë për secilën kategori të shërbimeve në tokë. Për momentin ekziston vetëm një operator. E gjitha ajo që kam kërkuar është hapja e tregut të shërbimeve në tokë në aeroportin “Adem Jashari”, koncesionari privat e ka mbështetur të drejtën e tij në detyrimin për vjelje të tarifave fikse dhe pamundësi të vjeljes së këtyre tarifave nga operatorët tjerë. Deri në hapjen e tregut të shërbimeve në tokë e kam kufizuar aprovimin për koncesionarin dhe furnizuesin me kerozinë të aeroplanëve, që është i vetmi, për shkak të detyrimit ligjor për hapje të tregut”

    Nga Rubrika
    Lajme04 Mars 2026
    Reperi ‘Mossi’ bashkë me dy të tjerë, janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Arrestimi ka ndodhur pas sulmit fizik ndaj gazetarit Burim...
    Lajme04 Mars 2026
    Është vetëdorëzuar në polici një person për të cilin, policia në Gjakovë të martën kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e...
    Lajme04 Mars 2026
    Mërgim Lushtaku nga PDK tha se vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja. Ai ka fajësuar shumicën parlamentare, pra Lëvizjen Vetëvendosje...
    Të tjera
    Lajme04 Mars 2026
    Gjykata Supreme ka shfuqizuar kufirin e moshës për asistentë në Universitetin e Prishtinës, duke e cilësuar si diskriminues dhe të paligjshëm. Sipas...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Ministri i Jashtëm i Kinës bëri thirrje për t’i dhënë fund veprimeve ushtarake të Izraelit ndaj Iranit gjatë një bisede telefonike me...
    Sport04 Mars 2026
    Kupa e Kosovës në futboll do të rikthehet sot me tri ndeshje çerekfinale, ndërsa një tjetër do të luhet nesër. Skuadrat po...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka reaguar ndaj paralajmërimit të bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump për të ndërprerë tregtinë mes dy vendeve...
    Kronika04 Mars 2026
    Policia e Kosovës, nëpërmjet raportit të saj ka njoftuar se në Rahovec dhe në Gjakovë, gjatë ditës së djeshme janë gjetur mjete...
    Lajme04 Mars 2026
    Analisti Milazim Krasniqi ka vlerësuar së Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje të reja në këtë kohë. Ai ka...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.