×
  • Lajme
  • Lajme

    DW: Ish-klyshi i Millosheviqit fitoi, loja e tij me Thaçin dhe rreziku i rritjes së autoritarizmit në Ballkan

    FrontOnline
    22 Qershor 2020

    Partia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Partia Përparimtare Serbe (SNS), ka marrë 63 për qind të votave në zgjedhjet e djeshme në Serbi. Norbert Mappes Niediek (DW) komenton këtë rezultat në prag të takimit Vuçiq -Thaçi.

    Duke i dhënë 63 për qind të votave partisë së Presidentit, duket se serbët kanë votuar sidomos për stabilitetin e vendit. Në zemër të Ballkanit sundon qetësia dhe kënaqësia, në një kohë kur bota është duke u çmendur. Me sa duket është mundur çdo lloj opozite, ashtu siç është mundur virusi i rrezikshëm Corona. Si duhet thënë më qartë?

    Duket si paradoks, që dekada me radhë është thënë se shtetet e rajonit të trazuar mund të qetësohen vetëm kur të marrin të vendosur rrugën drejt Europës, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky ka qenë mendim i gabuar. Sepse duket se Serbia e ka gjetur veten me autoritarin Aleksandar Vuçiq. Në vend që t’i kacavirret anijes që po mbytet, BE-së, presidenti serb e drejton shtetin me dorë të fortë duke shpëtuar nga shkëmbinjtë e detit të trazuar botëror. Duke i treguar të gjithëve se si mund të arrihet në brigje të reja: Që të shtunën e ardhshme, Vuçiq do të udhëtojë në Uashington për të celebruar në Shtëpinë e Bardhë „pajtimin“ me Kosovën, ose të paktën „për të hapur një kapitull të ri“. Nuk është Europa, nuk është Angela Merkel që garantojnë sigurinë dhe rendin. Këtë e bëjnë tani më shumë njerëz si Aleksandar Vuçiq dhe – megjithëse mezi besohet – si Donald Trump.

    Mezi besohet, dhe është mirë që të mos besohet fare

    Është gabim që rezultati historik i zgjedhjeve të interpretohet si dëshmi e besimit që i jepet presidentit. Partia e tij, „Partia Përparimtare Serbe“ (SNS) nuk është forcë politike që mund të konkurrojë në një sistem pluralist, ku partitë konkurrojnë me ide dhe argumente në favor të zgjedhësve. Ajo nuk është parti dokudo, por është Partia, një aparat shtetëror, siç ka qenë dikur Partia Komuniste.

    Individi që kërkon punë, sipërmarrja që kërkon të fitojë tendera, politikani lokal që kërkon para nga taksat për komunën, duhet të bashkëpunojë me pushtetin e kudogjendshëm. Duke pasur 730 mijë anëtarë, partia e presidentit, SNS është partia më e madhe në Europë, jo në krahasim relativ, por në krahasim absolut, është partia më e madhe në Europë, duke qenë parti në një vend që nuk është më i madh se landi gjerman i Hesenit. Kush e gëzon vendin e punës apo pozicionin falë kësaj partie, dhe në Serbi janë pothuajse të gjithë të tillë, bën mirë t‘ia japë votën asaj, sepse humbet vendin e punës nëse partia bie nga pushteti. Sistemi është një qark i mbyllur. Në fushatat elektorale vazhdohet të shtohen radhët. Aktivistët u kujtojnë të gjithë simpatizantëve dhe anëtarëve të partisë, nëse i kanë borxh partisë, duke i pyetur thjesht mbi preferencat që kanë kur ndodhen para kutisë së votimit. Kush nuk do të donte të tregonte përulësinë e tij në këto kushte?

    Partia e ka ngritur pushtetin me të gjithë personelin, duke dhënë subvencione të vogla, donacione për radiot lokale, duke bërë nderë për kryetarët e bashkive, duke dhënë tendera zemërgjerë. Pushteti u rrit pa rënë në sy, dhe menjëherë u shfaqën nëpër provinca pushtetmbajtësit e shumtë konkurrues. Ka vite që ish/këlyshi i Millosheviqit ka ardhur në pushtet – në fillim si zëvendëskryeministër. Sot, burri dymetërsh shfaqet i vetëm mbi turmën.

    Opozita nuk ekziston më. Socialistët, që dolën partia e dytë më e madhe në vend, duke marrë 11 për qind të votave, janë bashkëlojtarë në lojë, njësoj siç kanë qenë partitë e Bllokut në ish-Gjermaninë Lindore, ose siç kanë qenë Aleanca Socialiste e Punonjësve në ish-Jugosllavi.

    Sistemi është stabil, aq stabil sa ka qenë dikur sistemi komunist. Ai funksionon vetëm kur ka diçka për të dhënë dhe diçka për të shpërndarë. Falë lojës së zgjuar kjo vazhdon të jetë njësoj: Deri në shpërthimin e Coronës, donacionet nga BE dhe investimet nga Kina e kthyen Serbinë në vendin me zhvillimin më të madh në rajon, bashkë me Rumaninë, dhe sipas parashikimeve kolapsi pas pandemisë do jetë më e butë se diku gjetkë. Investitorët e vlerësojnë Serbinë sepse partia e kudogjendshme e ka kthyer vendin në „One stop shop“. Licencat jepen pa problem, kundërshtime nuk pritet të ketë.

    Serbia ka vepruar kundër Covid 19 më ashpër se çdo vend tjetër në Europë: duke vendosur ndalimqarkullimin nga ora 17:00 deri në orën 5 të mëngjesit dhe ndalim total qarkullimi për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe duke dhënë dënime të mëdha. Por njerëzit tremben nga shteti, virusi nuk trembet. Ai ushqehet nga kushtet e këqija sociale. Mbas sukseseve të para, numri i të infektuarve është rritur sërish, sidomos në konviktet e studentëve dhe aty ku banorët jetojnë ngjitur me njëri tjetrin si sardele. Deri ditën e zgjedhjeve kjo temë mbeti pa u diskutuar. Data e zgjedhjeve duket se është zgjedhur në mënyrë perfekte.

    Norbert Mappes Niediek komenton rezultatin e zgjedhjeve serbe. Serbët votojnë për stabilitet, mendon ai. Por a mjafton stabiliteti në vendin me një parti në pushtet?

    I të njëjtës natyrë është edhe stabiliteti në rajon, që drejtohet tani nga Vuçiqi. Por meqenëse atje nuk ndodhet askush që ta kundërshtojë, dhe meqë edhe Kisha Ortodokse ndodhet vetë nën kontroll, presidenti e ka rrugën e hapur për të zgjidhur çështjen e Kosovës, sipas mënyrës së tij.

    Ka dy vjet që Vuçiq dhe egoja e tij e vjetër shqiptare, Hashim Thaçi diskutojnë për këmbimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk mund të flitet për pajtim të vërtetë, për revizionimin e të kaluarës, për

    shtensionimin e jetës së përditshme, për takime në nivel shoqëror. Sepse po të flitej për to do të arrihej efekti i kundërt. Të dy udhëheqësit do të ktheheshin në zot shtëpie me zgjidhjen e tyre të preferuar dhe nuk do të kishin nevojë të merrnin parasysh të drejtat e pakicave të bezdisshme. Që Trumpi luan rolin e nxitësisë të paqes, përshtatet mirë me imazhin: Zëvendësimi i rregullave ndërkombëtare me “deals” të arritur midis burrave të fortë, është politika e shpallur prej tij. Nëse manovra arrin po ashtu t’i hipë nervat europianëve, aq më mirë.

    63 për qind e votave janë një rezultat fantastik. Por në Europë e dinë mirë si është puna e stabilitetit. „Everything was forever, until it was no more“, thoshte autori ruso -amerikan Alexei Yurtchak, duke treguar shumë mirë përvojën e një brezi të tërë/DW

    Nga Rubrika
    Lajme22 Nëntor 2024
    Njësia e Taskë  Forcës -Lindje (Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosoves) në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmuar pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se më...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Aktualisht kemi reshje shiu në shumë pjesë të Kosovës, të cilat më intensive janë në Rrafshin e Dukagjinit, e po ashtu edhe...
    Të tjera
    Lajme22 Nëntor 2024
    Policia ka sekuestruar një veturë Lamborghini, pa targa, në fshatin Zhur të Prizrenit ku gjatë patrullimit kishte parë se atë po e...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar për mospërkrahjen e opozitës për votimin e buxhetit për vitin 2025. Murati në një reagim...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX-i) dhe Policia e Kosovës...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka folur në lansimin e Udhëzuesit për Matjen e Dënimit nga Gjykata...
    Lajme22 Nëntor 2024
    Ka dështuar seanca e rigjykimit për tentim vrasje shkaku se ka munguar Agron Sopaj. Ky i fundit akuzohet për “lëndim të rëndë...
    Sport22 Nëntor 2024
    Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 14-të të saj. Të shtunën zhvillohen dy ndeshje, ku Malisheva do ta presë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.