
Procesi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë është ndër sfidat kryesore të qeverisë “Hoti”.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, për Front Online ka thënë që deri në fundvit ka gjasa që ky proces të përfundohet.
“Unë mendoj që nga fundi i vitit do të përmbyllet procesi i dialogut sepse nuk ka çështje të reja për të cilat duhet të bisedohet. Dihet çka duhet dhe se çfarë synojnë palët dhe kemi arritur mjaftë në 36 marrëveshje konkrete teknike dhe është më e lehtë që të bëhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohjen reciproke ose për njohjen e realiteteve”, ka thënë ai për Front Online.
Thuajse njësojë mendon edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Sipas tij, ky proces është duke u përshpejtuar, nga palët që janë të përfshira në dialog.
“Po thuhet që do të përshpejtohet dialogu për shkak se realisht po të shikohet Kosova dhe Serbia, kanë ngecur në rrugën e integrimit evropian dhe nuk mund të lëvizin përpara pa u zgjidh ky problem. Por si do të zgjidhet, është e vështirë të prognozohet për një arsye, sepse e para në këtë periudhë Serbia është fuqizuar shumë në arenën ndërkombëtare dhe në planin e saj të brendshëm, ndërsa Kosova është dobësuar edhe në planin e jashtëm edhe të brendshëm”, ka thënë ai për “Front Online”.
Megjithatë një proces i përshpejtuar, sipas Krasniqit, rrit drojën që ky proces me nguti, mund të mos jetë zgjedhje e favorshme për Kosovën.
“Nuk duhet harruar që edhe Brukseli është shumë i frustruar me gjendjen në Ballkanin Perëndimorë. Edhe atyre ju ngutet dhe tanimë kanë edhe një Qeveri të konsoliduar me të cilin veç duhet të ecin përpara. E kanë të caktuar edhe Lajçakun si emisar. Poashtu SHBA-të duket se po japin shenja që po nguten. Do të jetë goxha e vështirë, sepse një proces i komplikuar nëse bëhet me nguti ka rrezik që të mos jetë zgjidhja më e favorshme për Kosovën”, ka thënë tutje ai. /Front Online/
Qeveria “Hoti”, analistët flasin për sukseset dhe dështimet e mundshme