×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    “COVID-19 nuk ekziston”, lufta me dezinformata nga Rusia dhe Kina dhe pasojat për Kosovën

    FrontOnline
    02 Korrik 2020

    “Pandemia COVID-19 kurrë nuk ka ndodhur”!. Kështu thuhej në një video të postuar në kulmin e pandemisë botërore në një kanal në youtube, të themeluar nga zyrtarët rus, e cila për një periudhë jo të gjatë kohore kishte arritur rreth 1 milion shikime dhe kishte grumbulluar më shumë se 5000 komente qytetarësh.


    Legjendë:Videoja e postuar në kulmin e pandemisë botërore në një kanal në youtube, të themeluar nga zyrtarët rus, e cila për një periudhë jo të gjatë kohore kishte arritur rreth 1 milion shikime dhe kishte grumbulluar më shumë se 5000 komente qytetarësh.

    Rusia dhe Kina, sipas një raporti të publikuar në prill të këtij viti nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) janë dy shtetet që duke e shfrytëzuar krizën globale të Coronavirusit kanë shpërndarë raportime të rrejshme dhe dezinformata në mbarë botën.

    Grupi i quajtur, East Stratcom, ka hulumtuar lajmet e rrejshme me origjinë nga Rusia dhe brenda një periudhe tre mujore ka zbuluar më shumë se 150 raste të dezinformatave nga Kremlini të lidhura krizën globale shëndetësore, ku pretendohej se se Bashkimi Evropian ishte në prag të kolapsit për shkak të përgjigjeve kombëtare të ngatërruara nga qeveritë ndaj COVID-19.

    Në anën tjetër, sipas raportit të lartëpërmendur, ekzistojnë dëshmi për shtytje të koordinuara nga burime zyrtare kineze me qëllim të devijimit të çdo përgjegjësie në lidhje me shpërthimin e pandemisë COVID-19 në Wuhan, me ç’rast në disa sondazhe të realizuara muaj më parë në shtete të ndryshme shihej qartë se Kina përceptohej nga qytetarët si më e dobishme në luftën kundër pandemisë se sa Bashkimi Evropian(BE).

    Rasti i parë zyrtar i konfirmuar me COVID-19 në Kinë është paraqitur më 31 dhjetor 2019, ndonëse ekzistojnë dyshime se raste të tilla ka pasur edhe më herët , mirëpo Pekini zyrtar i ka mbajtur të fshehura. Për këtë gjë Kina ëshët akuzuar direkt edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
    Kina aktualisht ka të regjistruara rreth 84 mijë raste të infektuar me COVID-19, prej të cilave mbi 4600 të vdekur dhe mbi 78 mijë të shëruar.

    Një muaj pas konfirimit të rastit të parë me COVID-19 nga Kina, rastet e tilla janë konfirmuar edhe në Rusi, përkatësisht më 31 janar 2020. Përkundër përpjekjeve për mohim të pandemisë, numri i përgjithshëm i të infektuarëve me COVID-19 në Rusi ka arritur në mbi 650 mijë , prej të cilëve janë rreth 10000 të vdekur dhe rreth 425 mijë të shëruar nga Coronavirusi.

    Nga virusi vdekjeprurës COVID-19 numri i të infektuarëve në botë tashmë ka arritur në mbi 10.6 milionë raste, nga të cilët rreth 515 mijë veta kanë vdekur dhe mbi 5.8 milionë janë shëruar.
    Në anën tjetër, rasti i parë me COVID-19 në Kosovë është shënuar me 13 mars 2020 dhe deri më tani janë rreth 3000 të infektuar, 54 të vdekur dhe mbi 1640 të shëruar.

    Nga raportimet e rrejshme për mosekzistim të virusit COVID-19 e kanë përfshirë edhe Kosovën, ku shumë qytetarë kanë rënë pre e këtyre dezinformata dhe kjo, sipas infektologëve vendorë paraqet rrezik të madh për shëndetin publik.
    Ekspertët disa herë gjatë pandemisë kanë alarmuar se qytetarët e Kosovës nuk guxojnë të bien pre e dezinformatave për mosekzistencën e virusit, pasi që vendi ka një mjekësi jo të zhvilluar, madje më të pazhvilluar në rajon dhe Evropë dhe nëse rriten infeksionet me COVID-19, atëherë spitalet s’do të kenë mundësi pranimi të pacientëve dhe kjo do të paraqiste rrezik shumë të madh për shëndetin publik. Ka pasur raste që edhe figura publike në vend para medieve e kanë mohuar ekzistencën e COVID-19, duke e quajtur grip të zakonshëm.

     Infektologu Krasniqi: Pasojat e dezinformatave se COVID-19 nuk ekziston po i bartim edhe në Kosovë

    Infektologu kosovarë Valbon Krasniqi ka deklaruar për portalin “Front Online” se shumë qytetarë të Kosovë kanë rënë pre e dezinformatave të tilla, me ç’rast ishte krijuar bindja se virusi nuk ekziston.
    “Një nga dëmet jashtëzakonisht që po i shohim tani edhe ne në Kosovë, është mendimi se virusi nuk ekziston. Ajo çfarë mund të ju them me siguri është që një virus i tillë  tani për tani, është prezent ende në Kosovë, po qarkullon, po infektohet një numër i madh i njerëzve dhe fatkeqësisht virusi po merr edhe jetë njerëzish”, ka deklaruar Krasniqi për “Front Online”.
    Poashtu, sipas tij, shumë dezinformata janë shpërndarë në nivel global, prej së cilave janë mashtruar edhe qytetarët e Kosovës, është zbulimi i vakcinës, apo ndonjë ilaçi që do ta shëronte virusin. “Normalisht që ka pasur hulumtime të ndryshme, studime për të ardhur deri tek gjetja e barnave që eventualisht do ta parandalonin ose do ta pamundësonin përhapjen e këtij infeksioni, por sigurisht edhe të barnave që do ta mjekonin atë që e kemi thënë qysh në fillim të pandemisë. Nuk ka bar efikas dhe vështirë që do të ketë që do ta mjekonte këtë sëmundje. E vetmja mënyrë e parandalimit të infeksionit, mbetet vaksina, që ende nuk është zbuluar”, ka thënë ai për Front Online.
    Ndryshime në deklarata për sa i përket parandalimit të këtij virusi, sipas infektologut Krasniqi, ka pasur edhe nga vet OBSH-ja.
    “Mos të harrojmë edhe vet OBSH-ja, të paktën disa herë gjatë rrjedhës së pandemisë ka ndryshuar qëndrimet dhe rekomandimet e tyre, qoftë për mënyrën e parandalimit, qoftë për mënyrën  e përhapjes së sëmundjes, por qoftë edhe për mënyrën e trajtimit”, ka thënë infektologu për Front Online.

     Zeneli: Gjatë pandemisë u vërshuam nga lajmet e rrejshme

    Raporti i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) potencon se dezinformatat e tilla që po përhapen në nivel global kanë pasoja potencialisht të dëmshme për sigurinë publike, shëndetin e qytetarëve dhe komunikimin efektiv të krizave.
    Në këtë kontekst është e rëndësishme të dallohen format e ndryshme të keqinformimit, dezinformimit, si dhe format tjera të manipulimit të informacionit.
    “Shumica e këtyre aktiviteteve janë janë të lidhura me aktivitete të qëllimshme dhe të koordinuara, të kryera shpehsherë nga aktorë të sponzorizuar nga shtetet e caktuara”, thuhet mes tjerash në këtë raport.
    Profesori universitar në Kosovë, Alban Zeneli, i cili është njohës i fushës së medieve, pranon se gjatë këtyre muajëve të pandemisë edhe Kosova ka qenë e vërshuar nga lajmet e rrejshme, të cilat nuk e kanë saktësuar burimin e informacionit.


    “Në fakt burimin e informatave në gjuhën shqipe nuk mund ta dimë saktë se ku janë shkruar, për vet faktin që ato janë shkruar, janë kopjuar dhe janë shpërndarë në një masë të madhe te disa media të vogla, të cilat kanë synuar që të rriten përgjatë periudhës së pandemisë, përmes përdorimit të asaj që njihet si afekt i publikut.  Pra përdorim pa vetëdije , duke përdorur emocionet siç janë frika dhe paniku, të cilat i detyrojnë njerëzit që të lexojnë informata e që janë të pa verifikuara”, ka thënë Zeneli për “Front Online”.
    E kjo gjë sipas tij ka ndikuar edhe në humbjen e audiencës dhe besueshmërisë ndaj mediave që i kanë transmetuar këto lajme.
    “Në përshtypjen time dhe pa matje, mediat që kanë përdorur këtë stil të shkrimit, me tituj sensacional dhe pa informata brenda që janë të verifikuara, kanë ndikuar që të humb audienca, për shkak se audienca e klikon një lajm të tillë dhe i beson atij brendi nëse është i vërtetë. Nëse e kanë gënjyer publikun, normalisht që kanë humb audiencën e vet potenciale”, ka thënë tutje ai.

    Vdekjet në Iran nga lajmi i rrejshëm për alkoolin me bazë industrial

    Në një analizë që është bërë në pesë gjuhë të ndryshme evropiane dhe arabisht, OJQ-ja “Avaaz” ka zbuluar se miliona përdorues të “Facebook” ende po rrezikohen të konsumojnë dezinformata të dëmshme në një shkallë të gjerë rreth Coronavirusit, thuhet mes tjerash në raportin e EEAS.
    EEAS Stratcom ka realizuaar një analizë shtesë në nëntë gjihë të tjera të BE-së dhe jashtë saj, përfshirë gjuhën çeke, gjermane, polake, ruse dhe ukrainase, ku ka vërejtur se në të gjitha këto gjuhë përmbajtja false ose mashtruese vazhdon të bëhet virale.
    Një e treta e qytetarëve në 6 shtete të botë si: Argjentinë, Gjermani, Kore e Jugut, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA, sipas kësaj analize, kanë deklaruar se kanë vërejtur shumë informacione të rreme në lidhje me COVID-19 në mediet sociale.
    Poashtu një e treta e qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se “Vodka” mund të përdoret si një dezinfektues i duarëve.
    Sipas një raporti të BBC, në një provincë iraniane më shumë njerëz kishin vdekur nga pirja e alkoolit me bazë industrial sesa nga COVID-19, bazuar në një pretendim të rremë se mund t’i mbronte nga virusi.
    Në anën tjetër, teoritë e komplotit për rrjetin e telekomunikacionit 5G se gjëja e ka lehtësuar përhapjen e COVID-19 çuan në vandalizëm dhe abuzim të stafit të telekomunikacionit në disa lokacione në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
    Ndërsa Në Berlin të Gjermanisë ka pasur mitingje për të protestuar kundër “terrorizmit të vaksinimit”, duke pretenduar se COVID-19 nuk është asgjë tjetër përpos “një grip i thjeshtë”.Ndërkaq, një firmë italiane e sondazhit SWG ka konstatuar se një pjesë e anketuarëve e konsideronin Kinën miqësore me Italinë, duke e arritur në 52% në mars të këtij viti, nga 10% sa ishte dy muaj më herët(në janar), ndërsa besimi tek institucionet e BE-së zbriti në 27%, krahas 42% që ishte në shtator 2019.

    Shala: Fushatat dezinformuese nga Rusia dhe Kina

    Dezinformimi i mbështetur nga Kremlini mbi COVID-19 vazhdon të shpërndahet në mediet sociale, ndonëse kjo bie ndesh me udhëzimet zyrtare të OBSH-së dhe politikat e përmbajtjes së kompanive sociale.  
    Një dezinformim i koordinuar nga Rusia dhe regjimi sirian fajëson SHBA-të për mungesën e ndihmës mjekësore për refugjatët sirianë në kambet “Al Rukban” dhe “Al Hol”, duke pretenduar se Amerika e ka devijuar ndihmën e Kombeve të Bashkuara për refugjatët sirian tek grupet terroriste.
    Përhapja e lajmeve të rreme kryesisht nga Rusia dhe Kina, sipas ekspertëve kosovarë të sigurisë, janë një armë e fortë e përhapjes së sulmeve kibernetike edhe ndaj vendeve të vogla si Kosova.
    Sipas Drizan Shalës, edhe pandemia Covid-19, është shfrytëzuar nga këto shtete për të arritur qëllimet e tyre.

    “Fushata dezinformuese ‘shtetërore’ nga Kremlini zyrtar kemi pasur rastin ta shohim në  Ukrainë, ku ka ende  lajme të rreme të sponsorizuara nga Rusia dhe kjo e bën armën më të fortë në shekullin e XXI për interesat ruse, apo në rastin e Covid 19, Kina në arritjen e qëllimeve të saja”, ka thënë Shala për “Front Online”.
    Në Kosovë, sipas tij vetëm nga “Facebook”-u, gjatë kësaj kohe janë fshirë mbi 200 mijë profile që kanë shpërndarë lajme të rreme.
    “Në Kosovë  nga ana e Facebook-u i janë fshirë rreth, mbi 200 mijë profile në Facebook që janë marr me lajme të rreme të cilat  vinin nga Kosova. Dhe kjo është një tregues që duhet të merremi me seriozisht siguria kibernetike dhe të kemi bashkëpunim me SHBA në dy drejtime : HUMANE dhe TEKNIKE”, ka deklaruar Shala për Front Online.
    Shala ka theksuar që përhapja e dezinformatave është një ndër instrumentet kyçe për  shërbimet e huaja sekrete.
    “Fushata e dezinformimit dhe përhapjes së lajmeve të rreme, bëjnë pjesë sot ndër instrumentet standarde të shërbimeve sekrete të huaja, si dhe të “hacker”-ëve sidomos nga Rusia, Kina dhe Irani që sulmojnë vendet evropiane/ pro evropiane si dhe Amerikën/Izraelin”, ka thënë Shala.
    Mediet ruse si: Sputnik, Russia Today, gjithashtu gjatë kësaj periudhe kohore kanë publikuar lajme të rrejshme, në kundërshtim me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se si larja e shpeshtë e duarve nuk ju mbronë nga Coronavirusi, se si pandemia COVID-19 është ekzagjeruar në mënyrë që shtetet të hyjnë në një “higjienë dikatoriale”, etj. “Mos i besoni lajmeve të rrejshme, virusi COVID-19 ekziston, është prezent edhe në Kosovë dhe fatkeqësisht po infektohet një numër i madh i qytetarëve dhe po merrë jetë njerëzish”, përfundon infektologu Krasniqi. /Front Online/.

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se është nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Politikani serb nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Arsenijeviq, i ka larguar dekorimet nga sheshi i këtij qyteti. Ai përmes një videoje propagandoi...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat në lidhje me gjendjen në pikat kufitare. MPB ka bërë të ditur se pritjet...
    Të tjera
    Vip21 Dhjetor 2024
    Gili së bashku me djalin sonte nisin rrugëtimin e “BBVA”. Ata në këtë rrugëtim do të jenë si një banor i vetëm....
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka takuar strukturat e partisë në Llap, për çfarë ka thënë se takimi u...
    Hulumtime21 Dhjetor 2024
    Sonte zhvillohet super meçi mes Oleksandr Usyk dhe Tyson Fury, që është i dyti mes tyre brenda këtij viti. Ky duel pritet...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka uruar mirëseardhje në Kosovë kompanisë së shërbimeve cilësore të internetit Starlink. “Mirësevjen në Kosovë”, ka...
    Vip21 Dhjetor 2024
    Egli Tako është banorja e parë që ka hyrë në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Ajo është 27 vjeçe dhe ka...
    Lajme21 Dhjetor 2024
    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksident që ka ndodhur mbrëmjen e sotme të Dheu i Bardhë, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.