×
  • Lajme
  • Lajme

    Brukseli kërkon që Kosova e Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet të pavarura nga njëra-tjetra, flasin edhe për votimin në KIE

    FrontOnline
    29 Mars 2024

    Brukseli po kërkon nga Kosova dhe Serbia që të lëvizin me zbatimin e pikave të marrëveshjes të pavarura nga njëra-tjetra. Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express e konsideroi për keqardhje progresin e paktë nga Kosova dhe Serbia në këtë drejtim. Bashkimi Europian foli edhe për suksesin e shënuar të Kosovës në Paris ku u miratua raporti që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Stano thotë se çështja për anëtarësimin e Kosovës i takon anëtarëve të KiE.

    Bashkimi Europian ka reaguar për zhvillimin që ndodhi në Paris në Komitetin për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës, duke njoftuar se janë informuar mbi këtë.

    “Këshilli i Europës luan një rol qendror në promovimin e vlerave themelore europiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon anëtarëve të Këshillit të Europës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj. Ne vëmë re se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka diskutuar dhe miratuar këtë javë draft opinionin statutor për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të përgatitur nga raportuesja znj. Dora Bakoyannis”, ka thënë Stano për Express.

    Këtë sukses të Kosovës, Serbia nuk mundi ta pengonte në rezultat, por nuk rezistoi që të shfaqte kundërshtitë për përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare përkundër që shkel zotimet e dhëna në Marrëveshjen e Ohrit, përkatësisht Artikulli 4.

    Për këto veprime të Serbisë, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express tha se është për keqardhje që s’po zbatohet marrëveshja nga të dyja palët.

    “Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasë progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj marrëveshjeje”.

    Stano ka thënë se zbatimi i pikave të marrëveshjes Kosovë-Serbi të bëhet i pavarur nga njëra-tjetra. Këtu ai ka përmendur Asociacionin, për të cilin tha se është “mënyra më konkrete” për sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë.

    “Pavarësisht nga diskutimet e KiE; në dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra – për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që është mënyra më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës”.

    Dy ditë më parë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e e hartuar nga raportuesja greke, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të ftohet të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.

    Shumica e votave të këtyre deputetëve ishin pro raportit, por kundër tij kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një votë kundër ishte nga deputetët e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq një deputet i Greqisë ka abstenuar.

    Në Serbi, ministri i Punëve të Jashtme në mandatin teknik, Ivica Daçiq, e quajti vendimin për rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “të turpshëm dhe skandaloz”.

    “Ky vendim shkatërron të gjitha parimet mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës, sepse për herë të parë është propozuar pranimi i një territori që nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe nuk është i njohur ndërkombëtarisht”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

    Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ditën që në Paris u miratua raporti, tha se ajo ishte ditë testuese për Serbinë dhe angazhimin e saj në marrëveshjen me Kosovën. Ai iu referua pikave të marrëveshjes ku palët s’duhet të interferojnë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    “Sot, në Paris, do të vihet në provë neni 4 i “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” të sponsorizuar nga BE. Deri në mbrëmje, ne do të dimë nëse ka një marrëveshje apo jo. Siç do të kishte thënë Cervantes: “Prova e pudingut është kur hahet””, kishte shkruar ai në X./Express/

    Arif Vladi me 17 shkurt në hotel Lake Side
    Nga Rubrika
    Lajme27 Prill 2024
    27 prilli në Kosovë shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 1 mijë...
    Lajme27 Prill 2024
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të bëjë nderime te Memoriali për të Pagjeturit. E para e shtetit, nderimet tek memoriali...
    Lajme27 Prill 2024
    Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet me datë 29 prill nga ora 11:00. Fillimisht në rend ditës është “Miratimi i...
    Të tjera
    Lajme26 Prill 2024
    Drejtori i Inspeksionit Florian Dushi ka njoftuar për inspektimin e linjave të autobusëve, kontrollin e taksive ilegal dhe të rregullt në pjesë...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka thënë se ëndrra e tij është që shqiptarët të jetojnë në një shtet të...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Bashkia e Tiranës dhe Ambasada franceze në Shqipëri kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e industrive kreative. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot nga Korça, se Policia e Shtetit i ka gati masat për përballimin e fluksit në...
    Vip26 Prill 2024
    Blogerja Sara Hoxha, e njohur si gruaja e këngëtarit të njohur Ledri Vula, pas krisjes së marrëdhënies me partnerin e saj, ka...
    Lajme26 Prill 2024
    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka folur në ‘Forumin për Siguri të mbajtur në Budapest të Hungarisë. Ai...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.