
Shumë trena të rrjetit hekurudhor nëntokësor të Londrës kanë qenë të mbushur me njerëz të hënë pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, u tha njerëzve të shkojnë në punë, nëse nuk mund të punojnë nga shtëpia.
Të stërngarkuara ishin edhe rrugët e kryeqytetit britanik pasi shefi i qeverisë së këtij vendi këshilloi që njerëzit t’i përdornin veturat, biçikeltat ose të ecnin në këmbë, nëse kanë mundësi, dhe ta shmangin transportin publik.

Kryeministri Johnson tha të dielën mbrëma se personat që nuk mund të punojnë nga shtëpia duhet të inkurajohen në mënyrë aktive për t’u kthyer në vendet e punës, siç janë punëtorët e ndërtimtarisë dhe industrisë prodhuese.
Megjithatë, disa udhëtarë këtë mëngjes ishin të shqetësuar për rrezikun e mundshmë nga infektimi me koronavirus shkaku i numrit të madh të njerëzve në hapësira publike, shkruan “Metro UK”.

Mjeku James Wilson, i cili punon në një spital në Isleëorth, tha se është shumë nervoz për mënyrën se si do të ndryshojë udhëtimi i tij për në punë gjatë javëve të ardhshme.
“Duke u bazuar në atë që kemi parë në Londër në javët e kaluara për disa njerëz që nuk i respektojnë rregullat, nuk jam i sigurt nëse ata do ta respektojnë distancën prej dy metrave kur të udhëtojnë”, tha ai.