
Autoritetet britanike njoftuan sot vdekjen e 449 personave të tjerë nga COVID-19, duke çuar totalin në 29.876.
Mbretëria e Bashkuar tani ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë, duke tejkaluar kështu edhe Italinë, shkruajnë mediet britanike, transmeton lajmi.net.
Dhe numri real, sipas mediumeve britanike, është më i lartë se kaq. Britania e Madhe deri para një jave kishte raportuar vetëm jetët e humbura në spitale.
Anglia bëri me dije se vendi ka pasur 331 vdekje lidhur me Covid-19 gjatë periudhës 24-orëshe. Qeveria skoceze njoftoi se 83 njerëz të tjerë kishin vdekur në vend, derisa 21 viktima u konfirmuan në Uells. Irlanda Veriore raportoi 14 jetë të humbura.
Sidoqoftë, numri i vërtetë i vdekjeve kishte kaluar 32 mijëshin më 24 prill – gati dy javë më parë – sipas informacioneve më të hollësishme, të përgatitura nga Zyra për Statistikat Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuara.
Britania e Madhe momentalisht ka 194,990 të infektuar, sipas platformës Worldometer.