Numri i të prekurve globalisht nga coronavirusi u rrit në 14.1 milionë, bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, brenda pesë ditëve në botë u raportuan më shumë se 1 milion raste.
SHBA-ja është vendi më i prekur globalisht nga coronavirusi, me rreth 3.6 milionë raste, derisa të enjten pati raportuar 77 mijë të infektuar.
Ndërkohë rritje të madhe të të prekurve ka shënuar edhe Brazili, pasi vendi ka regjistruar deri më tani 2 milionë raste, pasuar me Indinë e cila konfirmoi rreth 1 milion të infektuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po formon një ekip ekspertësh ndërkombëtarë për të shkuar në Kinë për të studiuar origjinën e COVID-19.
Shefi i programit të urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan tha se trupi shëndetësor ishte “shumë i kënaqur” me bashkëpunimin e zyrtarëve kinezë deri më tani, por ngritja dhe vendosja e një ekipi më të madh do të kërkonte kohë.
Ndryshe, Kina është kritikuar për mënyrën sesi e ka menaxhuar situatën me pandeminë, që nga paraqitja e rasteve të para të raportuara, kritika që kanë ardhur kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/