Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur koalicion në këtë komunë.
Bahtiri ka thënë se ai e kishte shqyrtuar mundësinë që të tërhiqet nga politika, por që ky koalicion e ka bindur se ai duhet të rikandidojë për kryetar.
“Urime koalicioni PDK-LDK në Mitrovicë. Edhe pse e kam shqyrtuar gjatë mundësinë e tërheqjes nga politika për t’u kthyer te familja në Holandë, pazaret dhe intrigat e PDK-së dhe marionetës së saj, LDK-së, më kanë bindur se duhet të rikandidohem për kryetar për mos t’i lënë këto dy parti mashtruese dhe zhvatëse të kthehen në krye të komunës sikur para 2013-së.
Mezi pres vitin e ardhshëm të ju shoh në fushatë dorë për dorë, por së bashku me qytetarët e m’i do t’ua tregoj vendin sikur herën e kaluar”,ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Tutje në shkrimin e bërë Bahtiri ka thënë se askush nuk mund ta ndryshoj vizionin e tij për të qeverisur me duar të pastra.
“Fjalimet e juaja të sinkronizuara dhe votimet e juaja të përbashkta për t’i kapur 4 ndërmarrjet publike komunale dje në seancën e Kuvendit Komunal, e dëshmojnë më së miri lidhjen e koalicionit mes grupeve tuaja parlamentare. Pavarësisht kësaj, mos të mendon dikush se mund ta pengoj e ndryshoj vizionin tim për të qeverisur me duar të pastra”, përfundon shkrimi i tij.