
Avokati i Popullit ka pranuar ankesa nga disa të burgosur, të cilët kanë kërkuar të lirohen nga vuajtja e mëtejme e dënimit duke iu referuar situatës së krijuar me paraqitjen e pandemisë globale COVID-19.
Avokati i Popullit, në pajtim me Ligjin nr.05/L-019 për Avokatin e Popullit, me legjislacionin relevant në fuqi, nuk ka kompetenca ndaj vendimeve të Panelit për Lirim me Kusht, e as ndaj vendimeve të gjykatave kompetente, të cilat ndërlidhen me lirim të parakohshëm dhe me pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit, njofton Klan Kosova.
“Masat mbrojtëse asnjëherë nuk duhet të rezultojnë në trajtim çnjerëzor dhe degradues të personave të privuar nga liria e tyre. Çdo kufizim i të drejtave dhe i lirive themelore duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional, me kohëzgjatje të caktuar, i bazuar në ligj, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe në aktet juridike ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të përfshira në Kushtetutë. Po ashtu, autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës, në këtë periudhë, duhet të veprojnë në pajtim të plotë me Deklaratën e Parimeve e proklamuar nga KPT-ja më 20 mars 2015 dhe nga Këshillat e Nën-komitetit të OKB-së për Parandalim të Torturës për trajtimin e personave të privuar nga liria në kontekst të luftimit të pandemisë COVID-19 të proklamuara më 25 mars 2020” thuhet nw komunikatwn e Avokatit tw Popullit.
Po ashtu, Avokati i Popullit i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’ua dërgojnë të gjitha ministrive relevante, si dhe çdo autoriteti tjetër (përfshirë gjyqësorin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës) përgjegjës për gjendjen e personave të privuar nga liria e tyre këto dy dokumente të rëndësishme për trajtimin e personave të privuar nga liria në këtë periudhë pandemie globale.
Për më shumë, Avokati i Popullit inkurajon autoritetet kompetente që deri më 30 prill 2020 t’ia dërgojnë KPT-së një raport për masat konkrete të ndërmarra në kontekst të pandemisë globale (COVID-19) në lidhje me trajtimin në burgje të personave të privuar nga liria e tyre, si dhe në institucionet e tjera, në veçanti, në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale dhe në institucionet e mbajtjes për të huajt.
Aty ku vizitat familjare janë ndaluar për arsye shëndetësore, të sigurohen mënyra të tjera të cilat u ofrojnë të burgosurve kontakte me familjet e tyre dhe kontaktet me botën e jashtme, për shembull përmes telefonit, përmes internetit/email, video-komunikimit dhe mjete të tjera