
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, pati pranuar që gjatë aplikimeve për kompensim të pagave të punëtoreve ka pasur shkelje dhe keqpërdorime të shumta. Madje ai ka përmendur një rast ku një kontabilist e ka futur veten në mbi 20 lista të bizneseve për aplikim.
Për këtë gjë ka folur edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për “Front Online”.
Ai tha se ka pasur raste të shumta të identifikuara edhe nga Komisioni Hetimor.
“Ka raste të tilla edhe pse mund të konstatojmë që nuk janë raste të shumta. Derisa janë identifikuar disa nga këto raste atëherë ka bërë që edhe Komisioni të jetë më syçelë në kuptimin e verifikimeve më të detajuara gjithmonë me qëllim që të parandalohet ose të evitohet mundësia e ndonjë gabimi ose keqpërdorimi eventual nga individë të caktuar”, ka thënë Murtezaj për “Front Online”.
Lidhur me paqartësitë dhe hutimet që janë krijuar tek bizneset, Murtezaj ka konfirmuar që ka pasur edhe të atillë që kanë tërhequr aplikimet, pas sqarimeve që kanë marrë.
“Pas fillimit të aplikimeve, sigurisht ka pasur paqartësi nga individë dhe nga biznese të caktuara, se kush mund të përfitojë dhe kush jo. Ka pasur raste kur vet kompanitë kanë parashtruar kërkesë që të revokojnë ose që të tërheqin kërkesat e tyre, duke dhënë shpjegime se kanë keqkuptuar masat dhe me vet dëshirë kanë parashtruar kërkesë për tërheqje të kërkesave të tyre”, ka thënë drejtori i ATK-së.