×
  • Opinione
  • Opinione

    Armëpushimi Izrael-Hamas është triumfi i parë i epokës së re Trump

    Tim Stanley
    16 Janar 2025

    Nga: Tim Stanley / The Daily Telegraph

    Duket se presidenca e Donald Trumpit do të nisë me një moment të rëndësishëm, ngjashëm me inaugurimin e Ronald Reaganit në vitin 1981. Ai i shpëtoi burgut; ekonomia është në rregull; vlerësimet për të janë rritur (ndërsa ato për Joe Bidenin janë të ulëta). Dhe, tani ka marrëveshjen për lirimin e pengjeve, për të cilën mund të marrë meritën – para se të hyjë në Zyrën Ovale.

    Shpallja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, përpara betimit të Trumpit – të hënën e ardhshme – nuk është thjesht një fat i mirë, por një konfirmim i teorisë së Njeriut të Çmendur të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo sugjeron se përkushtimi i Trumpit ndaj interesave kombëtare dhe personale mund të tejkalojë ngërçet.

    Është e vërtetë që Joe Bideni duhet të marrë një pjesë të konsiderueshme të meritës për muajt e tërë të përpjekjeve të mundimshme në prapaskenë. Por, Bideni, si një produkt i rendit liberal botëror dhe rob i mentalitetit institucional, raportohet se nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm për të siguruar armëpushimin – veçanërisht ndaj Izraelit. Pikërisht kjo e bën rolin e Steve Witkoffit – të dërguarit të Trump për Lindjen e Mesme – kaq intrigues.

    Trumpi është pa dyshim pro-Izrael. Por, ai është gjithashtu pro-Trump, ndaj dëshironte që armëpushimi të arrihej përpara inaugurimit. Për këtë arsye, Witkoffi – një biznesmen i drejtpërdrejtë dhe jo një diplomat karriere – bëri gjithçka për të detyruar Benjamin Netanyahun të lëvizte. Një detaj interesant është se, siç thuhet, Bibi dëshironte ta shtynte marrëveshjen për shkak të Shabatit, ndërsa Witkoffi iu përgjigj se anëtarët hebrenj të ekipit amerikan ishin të gatshëm të punonin gjatë kësaj dite, kështu që pse jo edhe izraelitët?

    Zyrtarët arabë pretendojnë se Witkoffi arriti të ndikojë më shumë te Netanyahu, brenda një takimi të vetëm, sesa Bideni gjatë një viti. Nuk mund të fitosh kundër një zhvilluesi të pasurive të paluajtshme nga Bronksi.

    Konsensusi mediatik është se Trumpi mbetet i dyshimtë ndaj Netanyahut, pasi ky i fundit njohu fitoren e Bidenit në vitin 2020. Thuhet se Trumpi ka thënë “le të shkojë ai në rr… s…”, dhe së fundmi ndau një video të diskutueshme ku Netanyahu përshkruhet si një “bir i errët b…”!

    Diçka e parëndësishme? Po. Por, edhe e dobishme, mesa duket. Bideni ishte i bllokuar nga dashuria e tij historike për Izraelin dhe akuzohej se nuk guxonte të kundërshtonte Netanyahun. Ndërkohë, Trumpi, një narcisist i papërmbajtshëm, jep përshtypjen se mund t’i braktisë edhe aleatët e vet – e njëjta shfaqje e çmendurisë perandorake që i detyroi udhëheqësit e NATO-s të rrisnin shpenzimet ose shtetet arabe që të njihnin Izraelin gjatë mandatit të tij të parë.

    Qasja e Njeriut të Çmendur nuk është as luftënxitëse, as pacifiste; Trumpi shmang aventurat ushtarake, por shpenzon shumë për mbrojtjen. Por, ai paraqet kërcënim të paparashikueshëm. “Nuk do të doje të përballeshe me mua”. Putin dhe Zelensky, kini kujdes.

    Armëpushimi në Gazë, me kusht që të qëndrojë në fuqi, është gjithashtu një fitore e madhe në politikën e brendshme. Votuesit do të jenë të lumtur të shohin kthimin e pengjeve, si dhe përfundimin e një fushate ushtarake që ka përçarë bazën e demokratëve – në fakt, ka një ironi në faktin që u desh një republikan për të ndaluar një konflikt që filloi nën një liberal. E njëjta gjë ndodhi edhe me Korenë dhe Vietnamin.

    Në vitin 1981, Reagani përjetoi një situatë të ngjashme që i dha një momentum. Irani zgjodhi të vononte lirimin e pengjeve të Ambasadës amerikane, derisa Reagani të jepte betimin. Paraardhësi i tij, Jimmy Carter – i cili ndërroi jetë gjatë Krishtlindjeve – bëri punë të madhe për të siguruar lirimin e tyre, por ndjenja e një “agimi të ri” iu atribuua administratës së re të Reaganit.

    Reagan ishte me fat dhe hyri në detyrë si një figurë e panjohur. Por, është e mundur që në këtë rast të jetë arritur një marrëveshje sepse të dyja palët e dinë tashmë se si është presidenti i ardhshëm – sa i ashpër dhe i paparashikueshëm mund të jetë Trumpi. Cilësi të mira këto, për një lider botëror. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione15 Janar 2025
    Nga: Prof. Enver Bajrami, ish-aktivist i LVV-së Duke u shmangur nga dromcat e humorit argëtues Frojdian të këtyre ditëve të ngjeshura me...
    Opinione14 Janar 2025
    Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i nisur fillimisht si një proces teknik, evoluoi në një dialog të thellë politik, shpesh duke marrë...
    Opinione14 Janar 2025
    Roland Lami Fakti që opozita jo vetëm e atakon por propozon nëse fiton do ti kërkoj Komisionit të Venecias të sugjeroj ndërhyrjet...
    Të tjera
    Lajme16 Janar 2025
    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka filluar angazhimin në mbrojtjen e votës së lirë për...
    Sport16 Janar 2025
    Leutrim Krasniqi nuk është më trajner i Vëllaznimit. Klubi gjakovar ka njoftuar përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale se i ka ndarë...
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së Armëpushimit në Gaza. Në një postim në rrjetet sociale kreu i...
    Lajme16 Janar 2025
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh...
    Lajme16 Janar 2025
    Aktualisht, Prishtina radhitet në vendin e 23 në botë për cilësinë e ajrit. Këtë e thotë tabela e platformës për matjen e...
    Lajme16 Janar 2025
    Afaristi i njohur kosovar, Shkëlqim Devolli, ka udhëtuar sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.