×
  • Vip
  • Vip

    Arjeta dhe Ismetja e përjetuan diskriminimin në lëkurë, sot zëra të fuqishëm të grave dhe vajzave brenda komuniteve pakicë

    FrontOnline
    30 Shtator 2020

    Dy vajza të reja, dy shembuj inspirues, të dyja këto që krahas çdo diskriminimi e sfide në jetë kishin refuzuar të dorëzoheshin. Ato i m ‘veshën vetes një përgjegjësi aspak të lehtë, atë të fuqizimit të gruas brenda komunitetit duke u bërë kështu shembull e model për të gjitha vajzat tjera që për çfarëdo arsye kanë ndërprerë shkollimin. Arjeta dhe Ismetja janë zëri i fuqishëm që tash e tutje do të përfaqësojnë secilën vajzë të re brenda komuniteteve të tyre, duke u bërë forcë e shtysë për secilën.

    Me Arjetën u takuam në ditën e saj të parë të punës praktike në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta ishte e emocionuar e në të njëjtën kohë tregonte vendosshmëri drejt një fillimi të mbarë në karrierën e saj.

    Arjeta Shala, një 19 vjeçare e cila edhe pse e re në moshë, synimet e saj të mëtutjeshme i kishte tejet të qarta, ajo ishte këmbëngulëse në ngritjen e zërit të gruas së komunitetit pakicë.

    ‘Kam qenë shpesh herë e diskriminuar, së pari për faktin që jam vajzë e pastaj edhe për faktin që i përkas komunitetit, ka pasur raste kur edhe jam ndjerë keq por kjo nuk më ka ndalur asnjëherë drejt rrugëtimit dhe synimeve të mija në jetë’, shprehet Arjeta.

    Arjeta poashtu tregon se përkrahja e familjes nuk i ka munguar kurrë, kjo edhe ka bërë që ajo t’i orientoj synimet e saj drejt zhvillimit të gruas në komunitet, të jetë ndër ato vajza që ngrisin zërin për të drejtat e tyre brenda dhe jashtë komunitetit si dhe të hedhë dritë mbi vështirësitë e sfidat me të cilat gratë ballafaqohen çdo ditë.

    ‘Më kanë thënë shumë herë që unë nuk mundem me ia dalë sepse jam pjesë e komunitetit, e kjo më ka përcjell gjatë gjithë jetës. Mirëpo, nuk mund të mos e përmend që ka pasur edhe prej atyre që më kanë shtyrë vazhdimisht duke më thënë se unë mund t’ia dalë edhe pse jam pjesë e komunitetit. U bëj thirrje të gjitha vajzave, të mos e lejojnë asnjëherë diskriminimin e çfarëdo lloji që të ju ndalë drejt asaj që synoni të arrini’, përfundon Arjeta.

    Florida Kuqaj nga VoRAE, e cila është zyrtare e projektit ‘Social Justice for Roma, Ashkali and Egyptian in Kosova’ në kuadër të programit për Fuqizimin e Gruas në Politikë, ka treguar se kjo është faza e parë e një projekti që në total ka një afat prej nëntë vitesh, 3+3+3. Ky projekt i paraprin fuqizimit ekonomik dhe social të gruas në komunitet duke iu dhënë mundësi gruas së komunitetit të rrisë kapacitetet profesionale sa i përket avokimit në politikë.

    ‘Ne si organizatë kemi parë mangësitë se sa pak është i ngritur zëri i gruas në komunitet, jo se gratë e komunitetit shumicë nuk hasin në vështirësi të tilla por tek gratë e komunitetit pakicë është shumë më shumë e theksuar kjo mangësi. Ta marrim kështu: Nëse gratë e komunitetit shqiptar apo serb janë të diskriminuar një herë, gratë e komunitetit pakicë diskriminohen dhjetë herë’, potencon Kuqaj.

    Gratë e komuniteteve pakicë ballafaqohen me sfida të shumta, aspak të lehta. Zakonisht pritet që një grua e komunitetit të jetë më shumë e fokusuar në ndërtimin e familjes sesa në ndonjë fushë tjetër. ‘Ruajtja e moralit, është ndër pjesët më sfiduese që e kanë gratë e komunitetit dhe në momentin kur ato aderojnë në politikë, dalin në kërkim të votave e të tilla gjëra, ato automatikisht diskriminohen dhe paragjykohen nga një pjesë dërmuese e komunitetit, duke bërë kështu që vullneti i tyre për punë e karrierë të konsiderohet si një mos ruajtje e moralit’, potencon tutje Kuqaj.

    Gjatë eksperiencës së saj katër mujore në projektin për Fuqizimin e Gruas në Politikë, Kuqaj tregon se tek gratë e këtij komuniteti ka parë dëshirë të madhe, vullnet e motiv për punë. Ajo poashtu shprehet se shpesh herë jemi të pavetëdijshëm se sa diskriminues ndaj komuniteteve të tjera jemi.

    ‘Kam menduar se di shumë rreth grave të këtij komuniteti por e kam kuptuar se kam ditë shumë pak. Jam ndje krenare kur e kam parë vullnetin dhe dëshirën e tyre për një të ardhme më të mirë. Këshilla që gjithmonë u kam dhënë këtyre grave ka qenë që të mos dorëzohen e të mos zhgënjehen asnjëherë’, përfundon Kuqaj.

    Njëmbëdhjetë gra kishin pozita vendimmarrëse në Qeverinë Haradinaj, nga gjithsejt njëzet e dy ministritë e këtij ekzekutivi deri në vitin 2019. Kurse të dhënat që tregojnë se sa prej këtyre grave kanë qenë pjesëtare të komuniteteve pakicë mungojnë.

    Ndërkaq, nga pesëmbëdhjetë ministritë e Qeverisë Kurti, 30% prej tyre udhëhiqen nga gratë, dhe vetëm Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal udhëhiqet nga Emilija Redžepi , e cila është pjesë e komunitetit boshnjak, përfaqësuese e Partisë të Re Demokratike. Por edhe për këtë legjislaturë qeverisëse mungojnë të dhëna të tjera për pozitat e grave të komuniteteve pakicë në Qeveri.

    Raportet e publikuara deri më sot nga Instituti GAP dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) bëjnë një përgjithësim të numrit të grave të punësuara në Qeverinë e Kosovës duke mos specifikuar se sa nga të punësuarat janë nga komunitetet pakicë.

    Në raportin statistikor të Institutit GAP për vitin 2019 “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”, tregohet se deri në ditën e dorëheqjes së qeverisë Haradinaj, vetëm 10% e posteve drejtuese; ministra, zv.ministra, dhe sekretarë të përgjithshëm udhëhiqeshin nga gratë. Por, përmbajtja e këtij hulumtimi nuk tregon se sa prej grave të punësuara në pozitat e larta udhëheqëse u takojnë komuniteteve pakicë.

    Ismete Qyqalla e cila praktikën e ka filluar në Ministrinë e Shëndetësisë, ka treguar se gjatë përvojës së saj si praktikante nuk ka hasur në diskriminim nga kolegët e punës, mirëpo, ajo tregon se jo gjithmonë ka qenë kështu, pasi gjatë rrugëtimit të saj jetësor ka hasur në shumë gjëra të pakëndshme, bile tregon se gjatë shkollës së mesme ajo shumë shpesh ka dëgjuar fjalët: ‘Mos u ba si magjup’, ‘Më fal a je edhe ti a?’ etj. Fjalë këto të cilat Ismetja akoma i përjeton me një shqetësim të madh. ‘Pse çka kanë ata, unë i përkas komunitetit ashkali, pastaj fjala magjup përshkruan krejt diçka tjetër dhe jo ngjyrën e lëkurës’, shprehet Qyqalla.

    Ismetja i jep shumë rëndësi zhvillimit dhe edukimit te gratë në përgjithësie e veçanërisht tek ato të komunitetit. Ajo vazhdimisht bën thirrje që vajzat e komunitetit të shkollohen. Ajo, poashtu është mjaft optimiste dhe me entuziazëm të madh tregon se brenda komunitetit kanë ndryshuar shumë gjëra, sipas saj vajzat e komunitetit tash kanë më shumë vullnet për shkollim dhe se martesat e hershme nuk janë edhe aq prezentë. ‘Çikat e komunitetit po dojnë me u shkollu, me pas një emër sepse të gjithë e dimë që shkollimi i hap dyert. Pse mos me e ngritë zanin si gra apo vajza të komunitetit?’, shprehet tutje Qyqalla.

    Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës të gjitha gjinitë kanë të drejta të barabarta sa i përket pjesëmarrjes në jetën politike, ekonomike, por dhe në fusha të tjera. Ligji për Barazi Gjinore në nenin 6 pikën 8 specifikon se duhet të ketë një përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini në organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Ndërkaq në Ligjin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të drejtave të Komuniteteve neni 9 pika 9.5 përcakton punësimin e komuniteteve në ndërmarrjet publike.

    ”Personat që u përkasin komuniteteve kanë të drejtë në përfaqësim të barabartë në punësim në të gjitha nivelet në ndërmarrjet publike, institucionet publike, përfshirë sektorin e sigurisë, gjyqësorin, shërbimin e prokurorisë, agjencitë qeveritare që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë dhe shërbimet korrektuese, mbrojtjen, sigurinë dhe inteligjencën.”, thuhet në Kushtetutë.

    Mirëpo, jo çdoherë gratë e komuniteteve janë të mirëpritura brenda organizatave e partive politike, duke u vështirësuar atyre çdo herë e më shumë një jetë normale edhe kur ato kanë kualifikimin e duhur. Arjeta dhe Ismetja janë shumë të vetëdijshme mbi këtë fakt, fakt ky që për këto dy vajza është shndërruar në shtysën më të madhe. Ato të dyja, të gatshme drejt një lufte të ftohtë për të treguar veten dhe potencialin e tyre e për t’u hapur dyert edhe shumë grave e vajzave brenda komunitetit.

    (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

    Nga Rubrika
    Vip22 Dhjetor 2024
    Sara dhe Gjesti janë parë në një afrimitet miqësie mes vete ndërsa ndanin në diskutim disa tema. Ndër to qe edhe situata...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Të qeshura e argëtim ka shkaktuar Laurenti, kur vendosi ta imitonte këtë herë Leon. E gjitha për frazën e tij të numërimit,...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Xheneta ka dhënë disa doza qortimi ndaj Drilonit për siç tha ajo, se nuk di të shkruajë e të lexojë shqip. Sipas...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në Muçibabë po zgjasin një orë. E në...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Një 69-vjeçar ka humbur jetën sot në Korçë, pasi ka rënë nga rimorkio e traktorit. Policia ka bërë të ditur se 69-vjeçar...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi ka thënë se të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj...
    Hulumtime22 Dhjetor 2024
    Real Madridi ka kaluar në epërsi ndaj Sevillas, në kuadër të xhiros së 19-të në LaLiga. Golin e ka shënuar kush tjetër...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimit, ky kryeministri Albin Kurti dha njoftimin se Ministria e Financave po ndan për...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sot, në një bashkëbisedim të zhvilluar në Gjilan me veteranë të UÇK-së dhe pensionistë të FSK-së,  kandidati per deputet i  PDK-se ,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.