×
  • Lajme
  • Lajme

    Ardian Gjini ka një porosi për Shpend Ahmetin rreth taksës për hyrje në Prishtinë

    FrontOnline
    20 Tetor 2020

    Propozimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të iu vendosur taksë qytetarëve që hyjnë me vetura në kryeqytet, nuk është pritur mirë nga kryetarët e komunave tjera në vend. As kryetari i Gjakovës nuk po e sheh të arsyeshme vendosjen e një takse të tillë.

    Taksa për veturat që hyjnë në Prishtinë është propozuar nga kryetari Shpend Ahmeti për të rregulluar çështjen e tollovisë në komunikacion dhe për të zvogëluar ndotjen e ajrit.

    Propozimi i Ahmetit po kundërshtohet nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

    Ai ka thënë për Gazetën Express se zhvillimi ekonomik i Prishtinës vjen nga e gjithë Kosova dhe çmimi i kësaj është tollovia.

    “Po duket se është ide e gabuar por duhet parë më saktë se si po mendon Komuna e Prishtinës. Sidoqoftë, gjithçka e ka një çmim. Zhvillimi ekonomik i Prishtinës vjen nga gjithë Kosova dhe çmimi është pak më shumë tollovi. Nëse ndalen ardhjet nga e gjithë Kosova, ndalet edhe zhvillimi”, ka deklaruar Gjini.

    Gjini vlerëson se problemet në komunikacion duhet të zgjidhen duke e avancuar infrastrukturën.

    Ai thotë se ka edhe qytete tjera në botë që vendosin taksë ekologjike për lëvizje nëpër qendra, por këtë e bëjnë për të gjitha veturat, e jo vetëm për ato që vijnë nga qytetet tjera.

    “Prishtina ka nevojë për lëvizje ndërsa problemet në trafik duhet t’i zgjidhë me avancim të infrastrukturës. Ka qytete në botë që vendosin taksë ekologjike për lëvizje nëpër qendra të tyre, por ato nuk i vendosin në mënyrë diskriminuese për veturat që vinë nga qytetet tjera, por për të gjitha veturat, edhe për ato të vetat. Sidoqoftë, duhet parë me kujdes së cila në të vërtetë është ideja”, ka thënë Gjini.

    Ndaj propozimit të Ahmetit ka reaguar edhe i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

    Në një prononcim për Gazetën Express Haziri të hënën ka thënë se hyrja në Prishtinë edhe mund të bëhet me pagesë, por pasi Gjilani i ka tri dalje në kufij të Kosovës, kjo do t’u kthehet dhjetëfish.

    “Prishtina është e prishtinasve, munden edhe me pagesë me e bë, por për dalje në kufij të Kosovës, Gjilani i ka tre sosh, kanë me pagua dhjetëfishin e hyrjes së gjilanasve në Prishtinë”, ka deklaruar Haziri.

    Kundër idesë së Ahmetit ka dalë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

    Lladrovci për Express ka thënë se për të marrë këtë taksë, komuna e Prishtinës duhet të ofrojë kushte që e arsyetojnë këtë pagesë.

    “Para se të kërkojë dikush taksa për një shërbim, duhet të ofroj kushte. Prishtina është kryeqendra jonë, duhet të ofroj më së shumti mundësi, edhe të parkimit, edhe të sigurisë, në veçanti mobilitetin i cili mungon. Pra, për të marrë këtë taksë, duhet ofruar shumë kushte të cilat e arsyetojnë atë. Aktualisht, me gjendjen që është dhe punën që bëhet në Prishtinë rreth kushteve për jetë, nuk e vlerësoj në asnjë rast as se ka bazë e as vend për taksë parkingu. Ndryshe, do të ketë një reagim të cilit nuk i dihet fundi e as përgjigja nga komunat tjera”, ka thënë Lladrovci.

    Edhe kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka dalë kundër idesë që të ketë ndarje të qyteteve nëse vendoset një taksë e tillë.

    Elezaj ka thënë për Express se një vendim i tillë i mundshëm do të duhej të ishte më parimor.

    “Mendoj se me vendim nuk duhet te dallohen qytetaret e komunave por vendimi duhet te jete me parimor”, ka deklaruar Elezaj.

    Për taksën ndaj veturave që hyjnë në kryeqytet çështje ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

    I kontaktuar nga Express, Haskuka ka thënë se 10 euro janë shumë për një qytetar që vazhdimisht qarkullon brenda dhe jashtë kryeqytetit.

    “Një taksë e tillë është kundër ligjit. Taksa prej 10 eurosh është shumë e lartë, por edhe nëse do të ishte 1 euro prapë nuk është e drejtë, është në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Haskuka.

    Kundër propozimit të Ahmetit ka dalë edhe opozita në Prishtinë.

    LDK, VV e PDK kanë thënë se ky është diskriminim. Asamblistët e këtyre partive kanë deklaruar se Ahmeti nuk mund ta marrë i vetëm një vendim të tillë.

    Kanë theksuar se propozimi duhet të dërgohet në Kuvendin komunal, por ata nuk do ta votojnë.

    Ndërkohë, pas kritikave të shumta ndaj deklaratave të tij për bërjen me pagesë të hyrjes me vetura në kryeqytet, Shpend Ahmeti të hënën ka shkruar në Facebook se kjo do të bëhet për të evituar tollovinë në komunikacion dhe për të mbrojtur qytetarët nga ndotja e ajrit.

    “Meqenëse rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të zgjerohen në qendër, atëherë zgjidhja e vetme mbeten ndërtimi i rrugëve alternative (unaza) dhe pagesa e taksës për lëvizje me makinë në pjesë të populluara të qytetit ku ka tollovi dhe që mund të shkaktojnë ndotje”, ka shkruar Ahmeti.

    I pari i Prishtinës thotë se një shembull të tillë e ndjek edhe Londra.

    “Pra, përveç parkingut me pagesë, ne kemi shqyrtuar edhe mundësinë e taksës për lëvizje me makinë në qendër. Në gjuhën angleze njihet si Congestion Charge (taksë e tollovisë në njëfarë mënyre). Londra është kryeqyteti që e ka rregullu më së miri këtë sistem”, thotë Ahmeti.

    “Nuk ka rampa (laura), nuk ka diskriminime, kur të vendoset kjo politikë vlen për të gjithë dhe implementohet me kamera. Thjeshtë në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetren për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

    E nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, të hënën ka folur edhe për çmimin që është menduar të vendoset si taksë për veturat që hyjnë në kryeqytet.

    “Çdokush që vjen nga Peja, Gjakova, Klina, Drenica, ka të drejtë dhe mund të hyjë në Prishtinë, vetëm se për këtë duhet ta paguajë taksën e gjelbër, duhet të paguajë 10 euro. Kjo ende nuk është vendosur por është menduar kështu”, ka thënë Selimi.

    Nga Rubrika
    Lajme16 Janar 2025
    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim diplomaten e lartë amerikane, Anu Prattipati. Sipas Krasniqit, bashkë biseduan për rëndësinë...
    Lajme16 Janar 2025
    Në një kohë kur raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë pritej të ishin më të afërta, analisti Lutfi Bilalli shpreh shqetësimin se marrëdhëniet...
    Lajme16 Janar 2025
    Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht përfaqësuesit e saj kanë mbajtur prezantim/ligjëratë para kadetëve të Gjeneratës së 61 të Policisë së Kosovës e...
    Të tjera
    Lajme16 Janar 2025
    Kryesuesi dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë pritur në takim eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila është edhe shefe e Misionit...
    Vip16 Janar 2025
    Gjatë ditës së sotme, në shtëpinë më të madhe në vend është zhvilluar një debat mes Xhenetës dhe Vullnetit, e që u...
    Zgjedhjet 202516 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka paralajmëruar një "përmbysje të ideologjisë së ‘përmbysësit të Kosovës’" në...
    Lajme16 Janar 2025
    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të...
    Lajme16 Janar 2025
    Një pensioner në Istog e ka bërë për “pesë pare” kryeministrin Albin Kurti. Ai e kritikoi Kurtin për rritje të vogël të...
    Lajme16 Janar 2025
    Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për konstruktivitet në dialog. Kjo vjen pas deklaratës së djeshme të BE-së referuar mbylljes së strukturave paralele...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.