×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti përfshihet në fushatën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    FrontOnline
    12 Korrik 2020

    Tre ditë para se të mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përcaktuar që ta mbështesë Koalicionin se Aleancës së Ziadin Selës dhe Afrim Gashit.

    Përveç Kurtit i cili i ka shprehur qëndrimet e tij përmes një video-mesazhi, liderët e tjerë politikë nga Kosova dhe Shqipëria ende nuk janë përfshirë në garën e brendshme zgjedhore të shtetit fqinj, njofton Klan Kosova.

    Ai gjatë fjalimit ka dalë në mbështetje të plotë të këtyre dy subjekteve politike; ndërsa ka kritikuar partitë tjera, të cilat i ka quajtur të vjetruara.

    Adresimi i tij është bërë në tubimin zgjedhor të Aleancës në Shkup.

    Kujtojmë se lideri i VV-së edhe më herët kishte dalë në mbështetje të Aleancës për Shqiptarët kur Blerim Reka kishte garuar për pozitën e presidentit në këtë vend.

    Pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë ku VV doli si parti fituese, Kurti kishte përzgjedhur Rekën, duke e emëruar ministër në Qeverinë e Kosovës.

    Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të Kurtit:

    Të dashur miq, Zonja e zotërinj, bashkëkombasit e mi shqiptarë, që jetoni si autoktonë në tokën tuaj, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Po ju drejtohem me këtë video, sepse nuk munda t´ju vizitoj në Shkup, siç e pata në plan, për shkak të masave kufizuese që e vështirësojnë kalimin e kufirit gjatë pandemisë. Nuk mund të takohemi fizikisht, por megjithatë mund të komunikojmë, e të vazhdojmë të jemi pranë njëri-tjetrit, ashtu siç duam, ashtu siç duhet.

    Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonjëri që nuk e di mirë historinë e shqiptarëve, mund edhe të mendojë se janë periferi, provincë e shqiptarisë. Por, ata kanë qenë në ballë të të gjitha proceseve tona kombëtare. Për lirinë e Kosovës kanë dhënë jetën shumë të rinj nga Maqedonia e Veriut, e pastaj shumë të tjerë luftuan edhe në Maqedoni, bashkë me të rinj nga Kosova e nga vise të tjera shqiptare, për një ëndërr e cila sot duket sikur është harruar. Mirëpo, ne nuk i harrojmë dëshmorët tanë.

    As idealet e tyre. Idealet nuk plaken kurrë, idealeve nuk u ikën koha. Ne që këndojmë këngën e Hajredin Pashës, e dimë historinë e Dervish Carës e të kryengritjes së tij të 1844, e cila i priu me më shumë se tre dekada Lidhjes së Prizrenit. Ata kërkonin autonominë e shqiptarëve në perandori, njësoj siç u ishte dhënë autonomia serbëve dikur. E pra, ky pararendës i pavarësisë, dhe lëvizja e tij, nisi nga rrethinat e Tetovës dhe Dibrës, dhe organizoi anembanë shqiptarët, nga Shkupi e deri në Shkodër.

    Mandej erdh Lidhja e Prizrenit. E drejtues i mbledhjes në 18 qershor 1878, ishte Iljaz pashë Çoku, apo Iljaz pashë Dibra. Pastaj, mes shumë pjesëmarrësve në Lidhjen e Prizrenit që ishin nga Maqedonia e sotme veriore, ishin aty edhe sheh Mustafë Tetova e Jashar bej Shkupi e Hasan pashë Tetova. Pikërisht djali i këtij të fundit, Mehmet pashë Deralla, u angazhua si ndihmës dhe këshilltar i Sylejman Vokshit, dhe luftoi në të gjitha betejat e Lidhjes së Prizrenit e të Besëlidhjes së Pejës.

    Mehmet Deralla më pas u bë edhe ministri i parë i mbrojtjes, në qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë. Mandej kemi rilindasit e arsimtarët e parë të shqipes, Said Najdeni, apo hoxhë Voka, siç e njohin, që punoi me rilindasit e mërgatës dhe përhapi me shkolla e me shkrime mësimin e shqipes. Po ashtu Jashar Erebara, nga Shkupi, Ibrahim Temo nga Struga, që ndihmoi botimet shqip në Stamboll, Dervish Hima nga Struga, dhe poeti shqiptar ortodoks i Rilindjes Kombëtare nga Reka e Epërme, Josif Bagëri.

    Të mos harrojmë edhe kontributin e shquar të familjes Qiriazi nga Manastiri, Gjerasimi e Gjergji, mësues pionierë të shqipes, por sidomos motrat e tyre, ndoshta gratë më të shquara të Rilindjes sonë: Parashqevi Qiriazi, veprimtare, mësuese e popullit, pjesëmarrëse në Kongresin e Alfabetit në Manastir, themeluese e shoqatës së parë të grave shqiptare, autore e programit arsimor të qeverisë së Ismail Qemalit, dhe diçka e rrallë, e vetmja delegate grua, nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris.

    Njashtu edhe motra e saj, Sevasti Qiriazi, ndër nismëtaret e para të arsimit të grave, pjesëmarrëse në kongreset e Manastirit e të Elbasanit, bashkëpunëtore e Ismail Qemalit, e patriote deri në fund. Shumë prej nënshkruesve të pavarësisë së Shqipërisë, që në fakt ishte projekti për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve kudo, vinin nga Maqedonia e Veriut. Mustafa Baruti, Nuri Sojliu, Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, që e përmendëm, Zyhdi Ohri, e shumë të tjerë iu bashkangjitën më vonë, për shkak se nuk arritën dot në kohë në 28 nëntor. Ja edhe një kuriozitet tjetër, kryetari i parë i bashkësisë islame të Shqipërisë, menjëherë pas Pavarësisë, ishte Haxhi Vehbi Dibra.

    Në Vlorë ai ka thënë se «kristianët dhe myslimanët janë vëllezër shqiptarë të pandarë», duke i vënë vulën realitetit tonë kombëtar, të bashkëpunimit mes besimtarëve të feve të ndryshme, vlerë që e duam aq shumë e që mburremi me të. Alfabetin me të cilin shkruajmë sot shqipen, e kemi nxënë në Manastirin tuaj, në Manastirin tonë. Prej shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut vijnë shumë shkrimtarë me vlerë për letërsinë shqipe, historikë e bashkëkohorë. Po e përmend për shembull Haki Stërmillin, që me librin «Sikur të isha djalë» çel temën e rëndësishme të vuajtjes e të diskriminimit të gruas, temë për të cilën politika edhe sot ka për detyrë të bëjë shumë.

    Mandej edhe piktorë, i madhi Abdurrahim Buza, apo Sabri Fetahu e Omer Kaleshi. E shumë këngëtarë e poetë, profesorë e kritikë, shkencëtarë. Po edhe sportistë. Gjithë bota e di se shqiptari i parë që ka marrë medalje ari në lojëra olimpike, ka qenë Shaban Tërstena, mundësi nga Shkupi. E dyta, Majlinda jonë e artë nga Peja. E dy nobelistët me të cilët mburret krejt shqiptaria, humanistja, Nënë Tereza, dhe mjeku, Ferid Murati, vijnë prej anëve tuaja.

    Pra ka shumë potencial te ju. Ju nuk jeni provincë e shqipes, ju, njësoj si shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Kosovës, diasporës, e padyshim edhe Shqipërisë, pa harruar arbëreshët, jeni zemra e kulturës dhe e kombit tonë. Por, që potenciali i vajzës e i djalit shqiptar të mund të shprehet, ai ka nevojë për disa kushte themelore. Këto kushte nuk realizohen dot aty ku ka diskriminim e pabarazi. Pikërisht duke parë programin e përbashkët të Aleancës për Shqiptarët dhe të Alternativës, si pikë të parë të programit dhe si temë tejet të rëndësishme e kanë shtetin për të gjithë dhe barazinë e plotë. Shqiptarët duhet të jenë prezentë kudo, aq sa u takon.

    Këtë të drejtë ua japin ligjet, nuk duhet lejuar që t´ua mohojë politika e vjetër, apo ajo e korruptuar. Ne jemi popull paqësor. Por kjo nuk do të thotë se duhet të durojmë, pa drejtësi e nën korrupsion, pa arsim e në injorancë, pa shëndetësi e në ligështi, pa punë e në skamje. Pabarazia duhet luftuar në të gjitha format e saj, tërë kohën, nga të gjithë ne, kudo që jemi e që bëhemi. Prandaj, po më pëlqen që të gjithë po përshëndesni, bashkë me miqtë e mi, Zijadin Selën e Afrim Gashin, duke zgjatur pesë gishtat e dorës.

    E di se e bëni këtë që t´ua kujtoni votuesve numrin pesë, që është numri juaj për zgjedhjet. Le të shpresojmë që kjo dora juaj përshëndetëse të jetë dora e mbarë, të jetë koha për një dorë shqiptare, që punon, që i zgjatet miqësisht kujtdo që dëshiron bashkëpunim me drejtësi, e që i ndal padrejtësitë. Ju uroj suksese në zgjedhjet e 15 korrikut. Le t´i lëmë pas të vjetrat, le të kthehemi kah e reja, se na duhen ndryshime, zhvillim e demokraci. Mbështeteni ndryshimin, dhe më lini t´ua kujtoj edhe një herë, si Albin e si Vetëvendosje: nuk jeni vetëm; jemi bashkë; kurrë nuk do të jeni vetëm.

    klankosova

    KEDS: Erërat dhe reshjet e borës shkaktojnë dëme në rrjetin elektrik, disa zona mbesin pa rrymë
    Nga Rubrika
    Lajme28 Mars 2024
    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, është shprehur i bindur se kandidati i tyre Bedri Hamza, do jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës....
    Lajme28 Mars 2024
    Vigjilencë nga institucionet e sigurisë kërkon edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati. Ai në një prononcim për Front Online tha se Serbia...
    Lajme28 Mars 2024
    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e ka publikuar agjendën zyrtare për sesionin pranveror. Në agjendë është e konfirmuar edhe diskutimi për...
    Të tjera
    Lajme28 Mars 2024
    Një situatë si ajo e Banjskës po paralajmërohet se mund të përsëritet. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se...
    Sport28 Mars 2024
    Pas formës së mirë dhe golave me Rapid Bukureshtin, Albion Rrahmani pritet që në verë të bëjë hapin e madh, gjë që...
    Sport28 Mars 2024
    Toni Kroos raportohet se ka rënë dakord të rinovojë kontratën me Real Madridin. Kontrata aktuale e mesfushorit skadon në fund të këtij...
    Lajme28 Mars 2024
    Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar rezolutën e opozitës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti....
    Lajme28 Mars 2024
    Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut do të jetë derë e re për drejtësi për shtetasit e Kosovës, nëse vendi anëtarësohet...
    Lajme28 Mars 2024
    Gjatë sesionit të paradites, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes u mor në pyetje nga gjyqtari Guénaël Mettraux i cili e pyeti lidhur me një...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.