Ditëve të fundit është përfolur se ka përçarje ndërmjet koalicioni qeverisës LDK-AAK-Nisma, për shkak të mënyrës se si po zhvillohet dialogu me Serbinë, raporton Front Online.
Kundër dialogut doli lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ia bëri të qartë Kryeministrit Hoti se nëse ai vazhdon me këtë qasje, AAK-ja do të dalë nga koalcioni.
Sipas tij, LDK po tenton ta ‘përvetësojë’ agjendën duke mënjanuar AAK-në.
Mospajtimet ndërmjet koalcionit u shfaqën edhe të martën.
Ndaj propozimit për izolim 7 ditor për qytetarët që kthehen nga Shqipëria, dolën kundër AAK-ja e Nisma.
E lidhur me këtë për Front Online, ka folur nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.
Ai tha se ndërmjet koalicionit ka mospajtime, por jo përçarje.
“Është normal me pasë mospajtime ndërmjet çdo koalicioni, por përçarje nuk ka”, tha ai.
Ndërsa për përfshirjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në qeverisje për shkak të unitetit politik për zhvillimin e bisedimeve me Serbinë, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, Rugova tha se një gjë e tillë nuk është diskutuar në parti.
“Ne parti nuk kemi diskutuar përfshirjen e PDK-së në qeverisje”, tha ai për Front Online.