×
  • Ekonomi
  • Biznes

    Kompanitë ‘online’ po i dëmtojnë bizneset e regjistruara në Kosovë

    FrontOnline
    17 Janar 2022

    Ekonomia joformale është sfida kryesore, me të cilën përballet një kompani për prodhimin e produkteve natyrale higjienike në Kosovë.

    Themeluesja e saj, Arbërore Riza, thotë se produkte të ngjashme, gati me të njëjtin emër, qarkullojnë po ashtu në treg.

    Kjo, sipas saj, ka shkaktuar konfuzion te klientët, por edhe dëme financiare për kompaninë që udhëheq.

    Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kompania e Rizës është regjistruar në vitin 2018.

    Sipas Rizës, kjo është kompania e parë e regjistruar me këtë markë.

    “Gjatë pandemisë [COVID-19], pamë kompani me emër shumë të ngjashëm, ndryshim vetëm me një shkronjë. Dhe njerëzit, duke menduar se jemi ne, kanë filluar të marrin produkte të tjera [prej saj]. Me sa e di, kompania tjetër nuk funksionon si biznes; punon në kushte shtëpie… Kjo ka sjellë dëme të mëdha financiare, njëkohësisht është dëmtuar edhe emri kompanisë”, thotë Riza.

    Kompania, për të cilën Riza pretendon se i ka bërë konkurrencë joligjore, nuk figuron e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, por është aktive në rrjetet sociale me shitje online.

    Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar këtë biznes, por ai nuk i është përgjigjur.

    Ekonomia joligjore apo “e fshehtë”, përfshin aktivitete, si: shmangie nga tatimi, mungesë regjistrimi, mosfiskalizim, kontrabandim i mallrave, e të tjera.

    Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të publikuar më 11 janar, thuhet se “niveli i lartë i ekonomisë joligjore në Kosovë ndikon negativisht në konkurrencën, kushtet e punës dhe madhësinë e firmës, duke kufizuar rritjen ekonomike”.

    Kjo konkurrencë dëmton dhe dekurajon bizneset e formalizuara, thotë për Radion Evropa e Lirë Arian Zeka, shef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës.

    “Është me rëndësi që bizneset ta kuptojnë se kanë rol të rëndësishëm në luftimin e ekonomisë joformale, rrjedhimisht krijimin e kushteve të barabarta për veten e tyre, sidomos tatimpaguesit e rregullt. Të gjitha bizneset duhet t’i njoftojnë organet përgjegjëse të shtetit për ndonjë aktivitet ilegal ekonomik, që ndodh qoftë brenda sektorit të tyre, ose në ekonominë e përgjithshme të vendit”, thekson Zeka.

    Sipas tij, ekonomia joligjore dëmton jo vetëm bizneset, por edhe buxhetin e shtetit.

    Për këtë nevojitet angazhim më serioz nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke i fuqizuar aktivitetet e brendshme të kontrollit tatimor, në mënyrë që të klasifikohen sektorët, ku mund të ketë shmangie më të madhe të tatimeve, thotë ai.

    “Aktivitetet joformale ekonomike janë shumëdimensionale, natyrisht që ndikojnë me më pak të hyra në buxhetin e Kosovës edhe ashtu shumë të vogël. Kjo pamundëson edhe përmirësimin e shërbimeve publike dhe vonon realizimin e projekteve kapitale të vendit”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

    Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë se angazhimi kundër ekonomisë joligjore nuk mungon. Ai beson se ka një ulje të shkallës se ekonomisë joformale, por, siç thotë, jo në nivel të kënaqshëm.

    “Në kompetencat tona kemi dy vegla; njëra përmes ngritjes vullnetare që të përmbushen obligime tatimore, dhe në anën tjetër përmes veglës së kontrollit dhe vlerësimit tatimor. Përmes këtyre veprimeve identifikojmë fillimisht rreziqet tatimore, pastaj edhe shmangien tatimore. Nëse i referohemi [vitit] 2021, atëherë rezulton se kemi identifikuar mbi 60 milionë euro të shmangies tatimore”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

    Në raportet ndërkombëtare vazhdimisht theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë përbën më shumë se 30 për qind të Bruto Produktit Vendor(BPV), që, përkthyer në shifra, është rreth 1.8 miliard euro në vit.

    Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e mat nivelin e ekonomisë joligjore.

    Me qëllim të luftimit të këtij aktiviteti, Qeveria e Kosovës, në programin e saj për vitet 2021-2025, ka thënë se do t’i fuqizojë kapacitetet e inspektorëve tatimorë, aftësitë hetimore, inteligjencën dhe koordinimin më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe ndalimin e punës së padeklaruar.

    Për të mbrojtur emrin e kompanisë dhe produktet e saj, Arbërore Riza është pajisur me markën tregtare.

    “Tashmë kemi mbrojtur markën tregtare, emrin e kompanisë dhe logon tonë. Së shpejti do të ndërmarrim masa përmes rrugëve ligjore, për shkak të dëmit që i është bërë kompanisë sonë”, thotë Riza.

    Marka e regjistruar tregtare i ofron mbrojtje ligjore pronarit të kompanisë, duke i siguruar të drejtën ekskluzive për ta përdorur atë, me qëllim identifikimin e mallrave ose shërbimeve, apo ta autorizojë dikë tjetër për ta përdorur atë në këmbim të pagesës.

    Mbrojtja e markës tregtare zbatohet nga gjykata, e cila ka kompetencë për t’i bllokuar shkeljet e markave tregtare.

    Vetëm 60 euro kap ofertën Al Inclusive të “Sharr Travel” në Aqua Fafa
    Nga Rubrika
    Ekonomi16 Maj 2024
    Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, viziton Aleancën Kosovare të Bizneseve, ai është pritur nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini. “Kosova...
    Ekonomi16 Maj 2024
    Rreth gjysmë miliardë euro arrin shuma e përgjithshme e investimeve direkte amerikane në Kosovë në dekadën e fundit, bazuar në statistikat e...
    Ekonomi14 Maj 2024
    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me Komunën e Malishevës. Memorandumi kap vlerën e 697 mijë eurove dhe...
    Të tjera
    Lajme19 Maj 2024
    Sindikata e Policisë së Kosovës sot ka mbajtur kuvendin e përgjithshëm, që e vetmja pikë në rendin e ditës ishte shkarkimi i...
    Vip19 Maj 2024
    Zayn Malik e ka mbajtur koncertin e tij të parë të premte e kësaj jave që prej kur është larguar nga grupi...
    Sport19 Maj 2024
    Me fillim nga ora 17:00 do të zhvillohet ndeshja e katërt e serisë finale të Playoff-it të Prince Caffe Superligës së Kosovës...
    Lajme19 Maj 2024
    Pas presidentes Vjosa Osmani, nënsekretarja amerikane për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në fokus...
    Lajme19 Maj 2024
    Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve thotë “Front Online” se me mungesë të fuqisë punëtore po përballet sektori i gastronomisë. Vranica thekson...
    Lajme19 Maj 2024
    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar sot se të enjten në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për rezolutën për gjenocidin...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.