×
  • Tenderët
  • Tenderët

    Komuna e Lipjanit jep tender 50 mijë € më të shtrenjtë, shpërthejnë akuzat për korrupsion (Dokumente)

    Fatlum Berisha
    15 Prill 2021

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka shpërblyer me tender 322 mijë eurosh kompaninë “Agoniti”.

    Ai përzgjodhi këtë të fundit për të furnizuar me dru të gjitha shkollat e komunës të cilën e udhëheqë, ani pse pati operatorë të tjerë ekonomikë që ofertuan më lirë se ajo për 50 mijë euro.

    Tenderi u dha në mars. Finalizimi i tij ndodhi në prill, raporton Front Online.

    Kontrata tashmë e finalizuar

    Procesverbali i hapjes së tenderëve, i siguruar nga Front Online, tregon se për kryerjen e këtij shërbimi ofertuan edhe 4 kompani të tjera. Prej tyre, pos një, ajo “Bushgegu” garoi me një çmim prej 700 euro më të shtrenjtë sesa ndërmarrja fituese “Agoniti”.

    3 të tjerat u paraqitën me oferta më të lira. “Aome” konkurroi me 304 mijë e 262 euro. “Wood Company” me akoma më pak, 289 mijë e 910 sosh. E ajo “Haxha” me 271 mijë e 970 – apo me 50 mijë euro më pak sesa triumfuesja “Agoniti”.

    Procesverbali i tenderit


    Akuza dhe mohime mes palëve


    “Aome”
    është njëra nga bizneset humbëse në këtë tender.

    Pronari i saj, Fadil Vitija, është i pakënaqur me procesin.

    Ai pretendon se biznesi që drejton qëllimisht u eliminua nga gara.

    “Është tejkaluar korrupsioni. Komuna ka bërë 100 % padrejtësi. Ka pasë parregullsi. Dy herë kam bërë ankesë në Organin Shqyrtues po nuk ua ka ni. Qellimisht na kanë eleminu. Edhe me dhanë kumedit sa më lirë me pasë ofru, nuk mujme me fitu”, ka thënë ai për Front Online.

    Krejt këto akuza kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i hedh poshtë.

    “Lidhje personalisht nuk kam as me fituesin e as me humbësin e këtij tenderi”, tha shkurt ai për Front Online.

    Vitija ka bërë ankesë në OSHP. Kjo e fundit, siç shihet në dokumentin e siguruar nga Front Online, ia ka hedhur poshtë atë.

    Andaj i pari i Lipjanit është i shkurt në përgjigjen e tij.

    “Kur merr vendim OSHP-ja. Aty mo nuk ka kush çka me i bo kompanisë”, tha Ahmeti.

    Dyshime se buxheti komunal u dëmtua për mbi 20 mijë euro

     

    Tenderin në fjalë, pushtetarët lipjanasë, ia kanë dhënë kompanisë “Agoniti” për 2 vjet (2021-23).

    Gjatë këtij 24 mujorshi, biznesi në fjalë, obligohet me kontratë të dërgojë 7 mijë e 176 metra dru nëpër 26 shkolla.

    Çmimi për 1 metër është 44.9 euro.

    E sasinë e njëjtë të druve, ah, bung e qarr, një shitës i tyre thotë se do ta ofronte për 2 euro e 90 cent më lirë.

    “42 euro për metër pa pikë problemi. Bung, qarr, ah, me prerje. E po ashtu edhe palim të druve në tokë”, tha shitësi që deshi të mbesë anonim.

    Referuar këtij çmimi, komunës do t`i binte të shpenzonte në total rreth 21 mijë euro më pak nga “kuleta” e saj sesa pagoi për tenderin tashmë të kryer./Front Online/

    Prince Coffee House tani edhe në Lipjan
    Nga Rubrika
    Lajme24 Prill 2024
    Komuna e Podujevës e cila drejtohet nga Shpejtim Bulliqi e ka shpërblyer me tender prej hiç më pakë se 413 mijë euro...
    Tenderët24 Janar 2024
    Ministria e Punëve të Brendshme (MB) që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka shpallur një tender prej 120 mijë euro për shërbime hoteliere,...
    Tenderët11 Janar 2024
    Telekomi i Kosovës ka shpërblyer me tender 15 milionësh kompaninë nga Kroacia “Ericsson Nikola Tesla d.d”, raporton Front Online. Në njoftimin e...
    Të tjera
    Lajme05 Maj 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve, me ftesë të Qeverisë amerikane, respektivisht agjencisë qeveritare...
    Lajme05 Maj 2024
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve. Haradinaj me këtë rast...
    Lajme05 Maj 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për ditën e dëshmorëve të kombit shqiptar, duke publikuar një fotografi të monumentit “Nëna Shqipëri” në Tiranë....
    Lajme05 Maj 2024
    Shkolla fillore “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Livoq i Poshtëm për dy dekada ka rënie drastike të numrit të nxënësve. Nga 600...
    Bota/Rajoni05 Maj 2024
    Presidenti francez, Emmanuel Macron ka zhvilluar një telefonatë me kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu. Macron ka kërkuar nga Netanyahu të arrijë marrëveshjen e...
    Bota/Rajoni05 Maj 2024
    31-vjeçari Ergys Arrazi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten dhe 3 fëmijët, të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, teksa...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.