×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Trump dhe Biden në duel të ndarë televiziv

    FrontOnline
    16 Tetor 2020

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, iu përgjigjën pyetjeve të votuesve në ngjarje të ndara, pasi debati që duhej ta zhvillonin së bashku, u anulua.

    Trump iu përgjigj pyetjeve për një orë në Majami të Floridës, ndërsa Biden ishte në Filladelfia të Pensilvanisë.

    Të dyja ngjarjet u transmetuan në të njëjtën kohë në televizion, megjithëse debati me Bidenin zgjati 30 minuta më shumë.

    Të dyve iu bë presion për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

    Trump ofroi detaje për përvojën e tij me të, duke pranuar se “mushkëritë e tij ishin pak të infektuara” kur u hospitalizua, dy javë më parë.

    Por, ai e shmangu pyetjen se kur ka dalë negativ për herë të fundit në testin për koronavirus. Ka pasur kritika se Trump ka mbajtur tubime, ku shumë njerëz nuk kanë veshur maska.

    Trump, i cili rrallë mban maskë, tha se “ia del mirë me maska”. Ai përmendi një studim, duke thënë se njerëzit që veshin maska, “e kapin [virusin] gjatë gjithë kohës”. Ky koment, megjithatë, nuk përputhet me këshillat e zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë për veshjen e maskave.

    Trump, për herë të parë, tha se do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve të drejta, por përsëri shprehu dyshime nëse ato do të jenë të drejta.

    “Përgjigjja është ‘po, do ta pranoj’ [transferimin paqësor të pushtetit], por dua që ato të jenë zgjedhje të ndershme dhe këtë e do secili”, tha Trump.

    Biden e hapi debatin e tij me votuesit duke kritikuar mënyrën se si Trump e ka trajtuar pandeminë e koronavirusit.

    Biden tha se është “përgjegjësi e një presidenti të udhëheqë” dhe se Trump nuk e ka bërë këtë.

    Ai tha se Trump është përqendruar shumë në reagimin e tregut të aksioneve, ndërsa ka minimizuar mënyrën e përhapjes së virusit.

    Biden e kritikoi Trumpin edhe për, siç tha, mungesën e angazhimit më aktiv me Kongresin, për të kaluar një paketë të re të ndihmës ekonomike për amerikanët e dëmtuar rëndë nga pandemia.

    Ish-zëvendëspresidenti amerikan tha se nëse zgjidhet, ai do t’i rikthejë shkurtimet e taksave për amerikanët e pasur.

    Ai e kritikoi edhe politikën e jashtme të Trumpit, duke thënë se qasja e tij “Amerika e para” e ka bërë Amerikën “të vetmuar”.

    Biden po ashtu u zotua se do të punojë për shërimin dypartiak, nëse zgjidhet president.

    Dy kandidatët pritet të debatojnë ballë për ballë më 22 tetor në Nashvill të shtetit Tenezi.

    Biden tha se planifikon të marrë pjesë në debat, por shtoi se do t’i kërkojë presidentit që të testohet për koronavirus përpara se të arrijë.

    Trump nuk tregoi nëse ka dalë negativ në ditën e debatit të tij të parë me Bidenin më 29 shtator. “Ndoshta e kam bërë [testin], ndoshta nuk e kam bërë”, tha ai.

    Debati ballë për ballë, që është dashur të mbahet më 15 tetor, është anuluar, pasi organizatorët kanë thënë se do të mbahet virtualisht, për t’i mbrojtur njerëzit e përfshirë nga ekspozimi ndaj koronavirusit.

    Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.

    Sondazhet e opinionit tregojnë se Biden është në epërsi ndaj Trumpit.

    Megjithatë, ato nxjerrin garë të ngushtë në disa shtete kryesore, që mund të vendosin për rezultatin e zgjedhjeve.

    Më shumë se 18 milionë amerikanë kanë votuar tashmë personalisht ose me postë për zgjedhjet e 3 nëntorit. /

    Petrol Company hap komunitet në Viber për klientët e saj
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni30 Prill 2024
    Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e mbështetur nga Rithemelimi dhe Partia e Lirisë po zhvillojnë sot një tjetër protestë përpara Bashkisë së...
    Bota/Rajoni30 Prill 2024
    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 30 prill ka qëndruar në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit...
    Bota/Rajoni30 Prill 2024
    Katër personat e mbetur të plagosur nga sulmi në mëngjesin e sotëm në Londër të Britanisë së Madhe janë të gjithë ende...
    Të tjera
    Bota/Rajoni30 Prill 2024
    Shtëpia e Bardhë e ka konsideruar veprim të gabuar bllokimin e një ndërtese në kampus nga studentët që janë duke protestuar për...
    Lajme30 Prill 2024
    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, në kritikat e saj për Qeverinë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Albin...
    Lajme30 Prill 2024
    Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë për Front Online se edhe pas antarësimit të Kosovës në...
    Lajme30 Prill 2024
    Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës kanë lansuar programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë...
    Sport30 Prill 2024
    Barcelona po i kushton gjithë vëmendjen mundësive që po zhvillohen në Arabinë Saudite. Përtej takimeve të mëparshme të Joan Laportas gjatë Superkupës,...
    Lajme30 Prill 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe pranë shtatores së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.