×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti uron vitin e ri hebraik: Qoftë një vit i ëmbël, për të gjithë

    FrontOnline
    16 Shtator 2020

    Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka uruar vitin e ri hebraik, Rosh Hashanah.

    Kurti ka uruar këtë vit, duke përdorur urimin e hebraikëve që bëjnë në këtë festë, “Qoftë viti i ri një vit i ëmbël, për të gjithë”, derisa ka shtuar se “ Është e vërtetë, pas një viti me kaq sfida, shëndetësore e ekonomike, për shkak të pandemisë, e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël”.

    Tutje Kurti në urimin e tij derisa ka folur për njohjen e Kosovës nga Izraeli ka theksuar se edhe se Kosova duket e vogël e varfër e që nuk mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe vendeve mike, por ai tha se “Kosova nuk ofron pak. Ajo ofron zemrën e vet të hapur, angazhim e përkushtim për përparim të miqësisë, në çdo sferë. Nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia”.

    Shkrimi i plotë i Kurtit:

    I ftuar nga Kryerabinati i Shqipërisë, dje mora pjesë në shënimin festiv të vitit të ri hebraik, Rosh Hashanah. Në vijim, teksti i fjalës sime përshëndetëse:

    I nderuar Krye Rabin i rabinatit të Shqipërisë, z. Yoel Kaplan,

    I nderuari Rabin i Tiranës, z. Yisroel Finman,

    Të nderuar përfaqësues të komunitetit hebraik të Kosovës, zotërinj Demiri dhe Shkodra,

    I nderuari akademik Gjinushi,

    I nderuari profesor Sinani,

    Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare të Kosovës,

    Udhëheqës politikë, e të institucioneve,

    Të nderuar diplomatë,

    Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave,

    Të nderuar organizatorë, të ftuar e pjesëmarrës të tjerë,

    Më lejoni t’ju shpreh qysh në fillim urimet e mia, dhe të subjektit që unë përfaqësoj, të partisë më të madhe e më të votuar në Kosovë, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për vitin e ri hebraik, Rosh Hashanah, të cilin ju do ta festoni sivjet në datën 18 shtator. Fatkeqësisht, unë nuk di hebraisht, mirëpo kam lexuar se një nga urimet që ju e bëni për këtë festë është “Qoftë viti i ri një vit i ëmbël, për të gjithë”. Është e vërtetë, pas një viti me kaq sfida, shëndetësore e ekonomike, për shkak të pandemisë, e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël. Dhe ne, në këtë festë të hebrenjve, me gjithë zemër dëshirojmë mbarësi për bashkëkombasit tanë shqiptaro-hebrenj të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për gjithë hebrenjtë në botë, e sidomos për vendin e Izraelit, i cili së fundmi u shpreh për njohjen e Kosovës. Njohja shtetërore mes Izraelit e Kosovës do të jetë vetëm hapi i radhës në historinë e miqësisë dhe respektit mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë luftës së dytë botërore, shumëkush i kujton ndihmat që shqiptarët i dhanë hebrejve, por edhe gjatë e pas luftës në Kosovë, Izraeli dhe shumë hebrej nga vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tanë, kanë dërguar ndihma humanitare e ekonomike, dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi. E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe e ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënohet.

    Rosh Hashanah, kam lexuar se është përkujtimi i krijimit të njerëzve të parë, Adamit dhe Evës. Kjo histori na përkujton besimin se, të gjithë ne jemi pjesë të së njëjtës familje njerëzore, me prejardhje të njëjtë. Racat e kombet, gjuhët e kulturat, nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë këtë. Andaj le të lidhemi miqësisht me njëri-tjetrin. Sigurisht, Kosova duket e vogël dhe e varfër, e nuk mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe vendeve të tjera mike. Por, Kosova nuk ofron pak. Ajo ofron zemrën e vet të hapur, angazhim e përkushtim për përparim të miqësisë, në çdo sferë. Nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia.

    I nderuar Krye Rabin i Shqipërisë, Kosova është edhe Atdheu i hebrenjve si Z. Demiri e Shkodra, të cilët flasin shqip si ne, por edhe i hebrenjve nga komunitete gjuhësore të tjera. Ata këtu kanë po aq të drejta sa unë dhe sa cilido tjetër. E ju jeni udhëheqësi i tyre shpirtëror, prandaj ndihuni në Kosovë si në vendin tuaj.

    Edhe një herë, urime për Rosh Hashanah, qoftë vit i begatë e i bekuar e i ëmbël për gjithë hebrenjtë nëpër botë, e për shtetin e Izraelit.

    Ju falemnderit.

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.