×
  • Lajme
  • Lajme

    Lladrovci i shkruan Thaçit: Krenar me juve president

    FrontOnline
    26 Qershor 2020

    Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur edhe një herë shqetësimin rreth pretendimeve të Zyrës së Prokurorit Special, duke përshkruar shkurtazi të kaluarën e përbashkët me Presidentin Thaçi.

    Pasi ka cekur shokët e përbashkët, me Hashim Thaçi, të vrarë gjatë luftës, ka shkruar se ai dhe të gjithë ata që ndanë të kaluarën bashkë me Thaçin, ndihen krenarë me të.

    Postimi i plotë i Lladrovcit:

    I nderuari President, Z. Hashim Thaçi, Ju jeni emblema e lirisë, çlirimit dhe pavarësisë! Dua të shpreh jo vetëm shqetësimin, por edhe solidarizimin me situatën Tuaj, në këto orë pas publikimit të klasifikimit dhe pretendimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth të kaluarës Tuaj dhe z. Veseli.

    Unë dhe të gjithë ne që ju njohim nga afër, jemi krenar me të kaluarën Tuaj. Ne njihemi që nga organizimi ilegal, protestave dhe aksioneve të para, të organizuara kundër pushtetit okupator. Ato aksione tona, zhvilloheshin në situatat e reja, me rënien e komunizmit dhe murit të Berlinit. Andaj, edhe ne i përshpejtuam format e organizimit me një rrugë e përvojë të re, të cilën vendi ynë nuk e kishte parë.

    Fillimet e luftës së armatosur, aksioneve të para goditëse ndaj caqeve okupatore, është pjesa e fillimit të historisë tonë të ndritshme. Ishte një fillim dhe përkushtim i pakthyeshëm për lirinë që buronte nga trashëgimia familjare atdhetare dhe rezistenca me gjenerata. Ishte ideal që trashëguam, megjithëse dukej i largët realizimi, për shumë të tjerë dukej edhe i pamundur. Por, ne kishim besim, ne e kishim të vërtetën me neve, për gati 100 vjet okupim, ne përjetuam torturë, përndjekje, vrasje, shpërngulje, dhunime të tërë aparatit shtetëror jugosllav me veglat e tyre shqipfolëse.

    Për t’u çliruar, u krijua UÇK, dhe me popullin, i cili vendosi ta mund frikën, duke bërë çdo sakrificë, edhe me aleatët, fituam. Në ato fillime të angazhimit tonë në ilegalitet, aksionet e para e deri në çlirim, nuk mundem e të mos përmendi shokët tonë që më nuk janë në mesin tonë. E filloj nga Komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, Hamza, Fehmiu, Xheva, Luani, Xhemajli, Mërgimi, Zahiri, Edmondi, Hakifi, Abeja, Bedriu, Ilazi, Sandokani, Muja, Ahmeti, Agim, Asllani, Afrimi, Fahriu, Imeri, Ganiu, Aliu…janë dhe mbeten, të pavdekshëm, për neve dhe gjeneratat që do të vinë. Fati e deshti se as Ju, as Kadriu, as unë, nuk e patëm nderin të jemi në këtë radhë të viganëve në altarin e lirisë.

    Për fat të keq, ka ardhur një kohë e ligë që të jepen lëvdata vetëm kur të vdesim, apo të lavdërojmë vetëm komandantët dhe ushtarët që janë të vrarë. Një pjesë e madhe që krijuan historinë, nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të gjithë komandantët tanë, u përndoqën, burgosën apo ngritën akuza. Ata që po e bëjnë këtë, e dinë se të gjallët e zbatojnë amanetin e shokëve. Ky është një veprim sa indinjues, aq edhe i pashembullt, ngase, ne po trajtohemi sikur kemi qenë okupator, e jo në shtëpitë tona, duke u mbrojtur dhe duke luftuar për të drejtën tonë për liri, ashtu si të gjitha kombet tjera të lira.

    Lufta jonë ishte e drejtë, e pastër si loti. Ishte e pastër si loti i nënave dhe motrave tona. Ne nuk kemi mundur të presim mirënjohje as fjalë miradije nga ata që na luftuan për vdekje, nga ata që kryen gjenocid dhe u goditën nga bombat e NATO-s. Secili që u ngrit çlirim, vetëm vdekja e priste, por nuk u ndalëm. Andaj, ashtu si të gjithë çlirimtarët e botës, je krenar, ashtu si tërë populli për çfarëdo kontributi në rrugën për çlirim.

    Pardje, u ngrit një dyshim politik, kundër Presidentit të vendit tim dhe bashkëluftëtarit të tij, njërit nga kontribuuesit më të mëdhenj të çlirimit të vendit tonë. Lajm i trishtueshëm, por gjithsesi pres të largohet çdo dyshim nga ato pretendime nga Zyra e Prokurorit Special, ashtu si mjegulla e bjeshkëve të Qyqavicës!

    I nderuari shok e miku im, Hashim, Ju e dini se uji fle, armiku nuk fle. Tendenca për zbehjen e vlerave dhe fryteve të çlirimit dhe lirisë, ishte një program i ish okupatorit, aleatëve dhe veglave të saj, për të barazuar kriminelin dhe viktimën.

    Por, kurrë nuk do të arrijnë ta bëjnë. Kurrë, sepse, lufta jonë çlirimtare, ishte dhe mbetet vlera më sublime e kombit tonë, nga Skënderbeu e këndej!

    Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
    Nga Rubrika
    Lajme17 Tetor 2024
    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar që shumë shpejt do të përfundojë evidentimi i qytetarëve të Kosovës të regjistruar...
    Lajme17 Tetor 2024
    Anëtari i bordit të KOSTT-it, Nebih Zariqi ka dhënë detaje të tjera, pas publikimit nga Nacionale të komunikimeve mes Dejona Mihalit të...
    Lajme17 Tetor 2024
    Njohësi i politikës, Fidan Ukaj, e vlerësoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Bosnjës...
    Të tjera
    Bota/Rajoni17 Tetor 2024
    Kamala Harris tha se presidenca e saj “nuk do të ishte një vazhdim i presidencës së Joe Biden” në një intervistë t...
    Lajme17 Tetor 2024
    Anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian, nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi pret reflektim nga shteti i Bosnjës pas vendimit të Qeverisë...
    Lajme17 Tetor 2024
    Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar mbi 100 marrëveshje e shumë prej tyre janë lënë në harresë. Dy qeveritë duhet të...
    Lajme17 Tetor 2024
    Dimal Basha, deputet i VV-së, ka shkruar një status, në të cilin ka kritikuar opozitën kosovare, pra PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Basha...
    Kronika17 Tetor 2024
    Një mosmarrëveshje është bërë shkak i një përleshjeje mes një burri dhe gruaje në Rahovec. Policia njofton se të dyshuarit janë arrestuar...
    Lajme17 Tetor 2024
    Sërish në paraqitjen para mediave Kosova është përmendur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte. Këtë radhë ai tregoi se në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.