
Kryetari i Partisë Radikale Serbe (SRS), Vojisllav Sheshel, vazhdon të “luftojë” për konceptet e vdekura në lidhje me statusin e Kosovës dhe të shqiptarëve. Sipas tij, Kosovës duhet t’i njihet autonomia e plotë, përkatësisht që çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve të rregullohet me Kushtetutën e Serbisë, me të cilën do të përjashtoheshin nga ushtria dhe ruajtja e kufirit shtetëror.
Në një intervistë për agjencinë BETA në kuadër të fushatës parazgjedhore, ai tha se “vendbanimet në Kosovë e Metohi ku jetojnë serbët duhet të kthehen nën kompetencë të plotë të Serbisë”, transmeton Koha.net.
“Çështja e Kosovës e Metohisë duhet të kthehet në ingerencat e Këshillit të Sigurimit të KB. Në negociata duhet të përfshihet edhe Rusia, si fuqi e jonë mbrojtëse, e cila angazhohet për zbatimin e Rezolutës 1244”, është shprehur lideri i radikalëve serbë, të cilit duket iu ka ndalur ora që para 21 vjetësh.
Serbia zhvillon zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 21 qershor.