
Ndihmës komisari i Policisë Metropolitane, Neil Basu tha se “është koha të ngrihemi kundër racizmit, pabarazisë dhe padrejtësisë”.
Një nga shefat e lartë të policisë në Britani të Madhe ka kërkuar nga policia e vendit të “ngrihet në këmbë kundër racistëve”.
Neil Basu, ndihmës komisari i Policisë Metropolitane, oficeri më i lartë me ngjyrë i policisë nga pakica ektnike (BAME) tha se ishte koha që të “ngrihemi në këmbë ndaj racistëve, ndaj pabarazisë dhe padrejtësive”.
Reagimi i Basu u publikua në një rubrikë në të përditshmen “The Guardian”.
Kur ai u pranua në polici në vitin 1992, kishte “dyshime për organizatën”, shkroi ai dhe “veçanërisht ishte e vështirë” të jesh një nga pjesëtarët me prejardhje etnike minoritare në kohën e hetimit për vrasjen e Stephen Lawrence.
Vrasja e Lawrence në 1993 në një sulm të motivuar racist u pasua nga një hetim nga Sir William Macpherson.
“Gjetjet përfundimtare dhe rekomandimet e këtij hetimi janë përfshirë në strukturën e historisë së policisë në Mbretërinë e Bashkuar, por rezultatet pozitive, tek të cilat u arrit me vështirësi, janë reale”, shkroi ai.
“Përparimi ynë që atëherë nuk ka qenë i qetë, për më tepër me hapa të gabuara dhe pengesa gjatë rrugës”, shtoi Basu.
“Çdo pengesë të thyen zemrën dhe pavarësisht se sa kemi arritur, ne duhet të ballafaqohemi me faktin se shumica e komuniteteve tona, veçanërisht komuniteti me ngjyrë, kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë”, thekson oficeri i lartë me ngjyrë.
Ai potencoi se ka qenë një “javë veçanërisht shkatërruese” për kolegët e BAME gjatë protestave dhe dhunës së shkaktuar nga vdekja e George Floyd në SHBA.
“Mënyra se si vdiq George (Floyd) përfaqëson anën më të keqe të policisë dhe do të jetë përgjithmonë një imazh totemik i padrejtësisë racore në Amerikë”, tha Basu.
“Fjalët e tij të fundit ‘Nuk mund të marr frymë’, janë kthyer në një himn”, tha Basu.
Ai shkroi: “Pra, le të shohim zemërimin legjitim, duke u shfaqur tani në mënyra të ndryshme, me nuanca dhe kujdes”.
“Por, disa njerëz sillen keq; po, një pakicë e vogël nuk janë më shumë se oportunistë kriminalë, por shumica dërrmuese po tregon solidaritet me George dhe atë çfarë përfaqëson vdekja e tij. Ata kanë një pikë. Ne duhet të dëgjojmë komunitetet tona, dhe njerëzit tanë dhe të përqendrohemi në atë se çfarë mund të bëjmë ne mirë në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Basu.
– Protestat në Mbretërinë e Bashkuar
Protestat kundër-racizmit kanë vazhduar në Mbretërinë e Bashkuar që nga vdekja e George Floyd, ku në ditët në vijim janë planifikuar më shumë protesta.
Protestat janë planifikuar për të shtunën, 13 qershor në vende të shumta në të gjithë vendin dhe kryeqytetin Londër.
Ndërkohë, figurat e ekstremit të djathtë, përfshirë Tommy Robinson, ish-lideri racist dhe fashist i Lidhjes së Mbrojtjes Angleze (English Defense League-EDL), kanë premtuar se do të vijnë në Londër në të njëjtën ditë për të mbajtur një kundër-protestë.
Shumë anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë kanë postuar video dhe foto duke i treguar ata duke mbrojtur statujat në të gjithë vendin.
Një statujë e tregtarit të skllevërve të shekullit të 17-të, Edward Colston u rrëzua të dielën dhe u hodh në fund të portit të Bristolit gjatë një proteste të “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka vlerë” (Black Lives Matter) në Bristol.
Një numër statujash, përfshirë atë të ish-kryeministrit të Britanisë, Winston Churchill, në sheshin e Parlamentit, u vandalizuan me mbishkrime gjatë protestave.