
Shteti i parë jashtë Azisë që filloi t’i largonte masat kufizuese të koronavirusit, Danimarka, ka thënë të mërkurën se përhapja e sëmundjes Covid-19 nuk është rritur që nga koha kur vendi ka hyrë në fazën e dytë të rihapjes së shoqërisë muajin e kaluar.
Muajin e kaluar, Danimarka i rihapi restorantet, kafenetë dhe qendrat tregtare. Në prill i rihapi qendrat e kujdesit, shkollat, sallonet e floktarëve dhe disa biznese të vogla, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Niveli i përhapjes në shoqëri ende është shumë i ulët”, thanë autoritetet shëndetësore në Danimarkë, duke shtuar se numri i rasteve të reja të konfirmuara ka vazhduar të bjerë pavarësisht rritjes së numrit të rasteve.
Numri ditor i viktimave të koronavirusit gjatë tri javëve të fundit në Danimarkë ka qenë nga zero deri në katër pas rekordit prej 22 vdekjeve më 31 mars. Numri i hospitalizimeve ka rënë nën 100 që nga fillimi i qershorit.
“Ende nuk ka shenja të ndryshimeve të dukshme të përhapjes, pavarësisht hapjes graduale të shoqërisë në prill dhe në fillim të majit”, thuhet në raport.
Të hënën, qeveria daneze e rriti numrin e personave që mund të mblidhen në një vend nga 10 në 50 dhe e lejoi rihapjen e pishinave dhe qendrave të fitnesit.