
Jehonë në vend bënë edhe deklaratat ePresidentit të vendit, Hashim Thaçi, për vizitën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zëvendëskryeministrit Haki Abazi në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.
Për deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, një vizitë e tillë është mjaft shqetësuese.
“Është shqetësuese që një ministër i Brendshëm të ketë prezencë të vazhdueshme në Telekomin e Kosovës, në zyrat ku janë të insitaluara instrumentet të cilat në mënyrë të autorizuar mund të kryejnë përgjime. Normalisht me urdhër të gjyqtarit dhe me kërkesë të prokurorit. Një ministër nuk duhet ta ketë në asnjë rrethanë vendin aty dhe të shkojë që t`i vizitojë. Askush tjetër përpos personave të autorizuar, dhe as deputet e ministër”, ka thënë Tahiri për Front Online.
Sipas tij, të dhënat e mbi 1 milion konsumatorëve të Telekomit, mund të jenë në duart e VV-së.
“ Ajo çfarë ka dal në shesh në këtë periudhë dhe që është konfirmuar edhe nga ish-kryeshefi i Telekomit që ministri i Punëve të Brendshme e ka bërë një vizitë, është jashtëzakonisht shumë shqetësuese, sepse në fund aty janë të dhënat e mbi 1 milion konsumatorëve sa edhe duhet t`i ketë Vala dhe Telekomi i Kosovës dhe qasja në ato informata qofshin edhe të dhëna personale të qytetarëve është shumë e dëmshme”, ka thënë tutje Tahiri për Front Online.
Ndërsa lidhur me deklaratat se Haki Abazi sa ishte zëvendëskryeministër zhvilloi takime edhe në Kopaonik, Tahiri tha se llojet e këtyre vizitave duhet që të hetohen nga organet e drejtësisë.
“Unë nuk jam as prokurorë dhe as hetues dhe presidenti normalisht që shërbehet nga institucionet në këtë rast edhe nga ato të sigurisë siç është AKI-ja dhe institucionet e tjera , të cilat e furnizojnë me informacione presidentin e Kosovës dhe unë si deputet nuk kam qasje në informata të tilla. Prandaj mendoj që vizitat e tilla duhet të hetohen nga institucionet e tona se cili ka qenë qëllimi i vizitës së një zëvendëskryeministri në Kopaonik”, ka thënë ai për Front Online.