
Pakoja Emergjente Fiskale dhe shuma që është ndarë për të, nuk ka qenë e mjaftueshme. Të paktën kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka në një intervistë për Front Online.
“Pakoja Emergjente Fiskale, shuma e saj, respektivisht nuk ka qenë e mjaftueshme për të adresuar të gjitha problemet dhe të gjitha dëmet që u janë shkaktuar bizneseve përgjatë muajve të fundit e aq më shumë nëse e marrim parasysh edhe shumat që janë përcaktuar për kompensimin edhe të pagave të punonjësve të cilat absolutisht nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë Zeka.
Sipas drejtorit të OEAK-ut, kjo ndarje ka dekurajuar punëtorët e sektorit privat.
“Dekurajohen edhe më tej njerëzit që të vazhdojnë të punojnë në sektorin privat dhe të shohin vetëm sektorin publik si një vend, në të cilin ata duhet të orientohen. Është edhe një masë tjetër, e cila parasheh një shumë prej 10 milionë euro, në mbështetje të kompanive të cilat kanë potenciale të eksportit. Kjo masë pavarësisht që është pjesë e Pakos Emergjente Fiskale, nuk ka nisur të zbatohet ende”, ka deklaruar Zeka për Front Online.