
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e aktivistit të VV-së, Veron Hasani, i cili u arrestua dje pasi e quajti “hajn”, presidentin Hashim Thaçi, raporton Front Online.
Policia ka njoftuar se lidhur me sjelljet e PK-së, ndaj aktivistit është lajmëruar edhe Inspektorati Policor.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Referuar rastit të ndodhur me 03.06.2020 afër Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është ndaluar një person për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka.
Personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës. Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore është informuar Inspektorati Policor, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit.
Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore.