
Më 29 maj pritet vendimi final i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e Presidentit Hashim Thaçi i cili kishte mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e Qeverisë së re. Kjo pas mocionit të mosbesimi të iniciuar nga partneri qeverisës LDK, për rrëzimin e Qeverisë “Kurti”.
Kjo Gjykatë të martën përmes një reagimi për medie, ishte ankuar se gjatë kësaj kohe është duke u kërcënuar nga politikanë të vendit në lidhje me këtë vendim.
Betim Musliu nga Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD) ka thënë për Front Online se duhet të ndalen praktikat e tilla nga politikanët institucional.
“Është tejet e papranueshme që të kemi çfarëdo lloj presioni i cili vie në adresë të Gjykatës Kushtetuese. Diskursi i ditëve të fundit i çoroditur sidomos i liderëve institucional, është totalisht i papranueshëm dhe i dënueshëm sepse përbënë shantazh në drejtim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Musliu për Front Online.
Ai vlerëson se një praktikë e tillë është shembulli më i keq i cili i jepet qytetarëve të Kosovës, për të cilët sipas Musliut, ata duhet të jenë model i tyre.
“Në këtë rast kemi shembullin më të keq i cili po jepet nga liderët institucional në këtë rast më konkretisht nga Presidenti dhe Kryeministrit, të cilët në formën se si janë duke e komentuar çdo ditë të drejtën që ata pretendojnë se ekziston dhe që duhet të vërtetohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk lë dyshim tjetër veç se të kuptohet drejtpërdrejt si presion, si një formë e shantazhit në raport me vendimin i cili pritet të merret nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Musliu për Front Online.
Musliu: Edhe në kohën e Enver Hasanit, Kushtetuesja u përballë me “luftën e shtrigave”
Praktika të ngjashme të presioneve ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sipas Musliut kanë ekzistuar edhe në të kaluarën.
Ai kujton kohën kur në vitin 2014 kryetar i kësaj Gjykate ishte Enver Hasani, për të cilën kohë thotë, se kishte presione dhe shantazhe të drejtpërdrejta ndaj tij.
“Ju kujtojë që në vitin 2014 në kohën kur kishim aktgjykime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese, në këtë rast për VLAN-in e famshëm ka pasur po ashtu presione dhe shantazhe të drejtpërdrejta me Gjykatën Kushtetuese, më konkretisht me kryetarin e kësaj Gjykate në atë kohë Enver Hasanit ndaj të cilit u bë një ‘luftë e shtrigave’ vetëm e vetëm se dëshironin që vendimet që i merr kjo Gjykatë t’i shkojnë për shtati palëve”, ka pohuar ndër tjera Musliu për Front Online.
Ai vlerëson se Gjykata Kushtetuese duhet ta ushtrojë rolin e saj me integritet të plotë që vendimi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Si do të duket vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së iniciuar nga Vetëvendosje rreth dekretit të Presidentit, mbetet të shihet. Nuk po e paragjykojë sepse edhe kjo mund të konsiderohet si një formë e presionit mbi vetë Gjykatën Kushtetuese, e cila tanimë duhet ta ushtrojë rolin e saj me integritet të plotë për ta pasur një vendim i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe që i jep zgjidhje problemeve në suaza të Kushtetutës”, tha Musliu për Front Online.
Salihu: Thaçi e ka marrë pozitën e partive opozitare, Kushtetuesja të vendosë pa ndikime
Edhe sipas njohësit të Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihut presionet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese për vendimin që pritet ta marrë më 29 maj, është e papranueshme.
Ai për Front Online tha Gjykatat duhet ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur.
“Është parim që Gjykatat e sidomos Gjykata Kushtetuese në përgjithësi të mos bien nën ndikimin e askujt, pasi që nganjëherë masa reagon në mënyrë emocionale. Veçmas kjo është më sensitive më komplekse është tani rasti konkret lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Presidentit Hashim Thaçi për mandatin e zgjedhjes së qeverisë së re”, ka thënë Salihu për Front Online.
Ai pranon se ndikime të tilla ka pasur nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Deri tash ka pasur këso ndikime prej të dyja palëve, si prej presidentit Thaçi i cili më shumë e ka marrë pozitën e partive në opozitë se sa Presidentit të shtetit i cili duhet të jetë figurë unifikuese dhe e pavarur”, tha ai për Front Online.