
Kryeministri në detyrë i Kosovës publikoi në rrjetin socail Facebook një kërcënim që ka ardhur nga “Garda Vullnetare Shqiptare” në adresë të tij.
Ai thotë se kërcënimi ndaj tij është kërcënim edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese nga e cila po pritet një vendim për çështjen e mandatarit të ardhshëm për qeveri deri më datën 29 maj.
Kurti e editoi postimin e tij fillestar duke fshirë një pjesë të tekstit.
“Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!”, shkroi Kurti në shkrimin e parë.
Ndërsa, në shkrimin e dytë, këtë pjesë Kurti e fshiu, duke lënë vetëm shkrimin e mëposhtëm.
Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, shpjegoi për Gazetën Express pse Kurti editoi postimin e tij.
“Në lidhje me forumin e Venedikut dhe ‘’dokumentet’’ nga koha e shkrimit të Kushtetutës, kryeministri në detyrë Kurti e ka lënë të merret me një postim të veçantë më vonë/ pjesa tjetër e statusit të tij, askund dhe për asnjë moment, nuk është sulm për Gjykatën Kushtetuese, por përkundrazi”, ka thënë ai.