
Malisheva ishte ndër qytetet e para ku u shfaqën rastet me virusin Covid-19.
E nga ky qytet u shënua edhe një rast i vdekjes, teksa numri i të prekurve me Coronavirus arriti në 76 persona, raporton Front Online.
Por një lajm i mirë vjen nga ky qytet. Kryetari i kësaj komune Ragip Begaj ka bërë të ditur për Front Online, se shërim nga virusi kanë gjetur 71 persona.
Sipas kësaj, Malisheva tanimë ka vetëm 5 raste aktive me Coronavirus.
“76 kanë qenë gjithsej të infektuar. Plotësisht të shëruar janë 71 persona. Kemi edhe 5 persona të pashëruar ende. Mostrat janë marrë dhe tash pritjet janë që të ketë më shumë të shëruar”, ka thënë Begaj për Front Online.
Edhe pse gjendja shëndetësore e tyre është e mirë, Begajn e ka shqetësuar dalja e qytetarëve në qytet. Madje ai u bëri apel atyre që të kenë më shumë kujdes dhe t`i rrallojnë daljet pa nevojë.
“Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Por tash ka filluar edhe të ketë dalje të panevojshme, poashtu të takimeve dhe të grumbullimeve të njerëzve dhe unë u bëj apel që të kenë më shumë kujdes”, ka thënë ai. /Front Online/