
Një person ka vdekur nga një zjarr që shpërtheu të shtunën në një spital të Moskës, ku po trajtohesish pacientët e infektuar me koronavirus.
Spitali ku shpërtheu zjarri ndodhet në pjesën veriperëndimore të kryeqytetit rus dhe më parë ishte caktuar nga autoritetet enkas si qendër për trajtimin e të infektuarve me virusin e ri.
Ministri i emergjencave, Yevgeny Zinichev, tha se zjarri shpërtheu në një dhomë të pacientëve, por nuk dha hollësi të tjera. Autoritetet kanë njoftuar se tashmë e kanë fikur zjarrin, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, shkroi në Twitter se të gjithë pacientët që ndodheshin në spitalin ku shpërtheu zjarri janë evakuuar dhe do të dërgohen në spitale të tjera, duke premtuar se shkaktari i zjarrit do të hetohet plotësisht.
Moska dhe disa rajone ruse janë vendosur në karantinë të plotë që nga fundi i marsit me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, që deri më tani i ka prekur gati 200,000 rusë dhe i ka lënë të vdekur mbi 1,800 persona.
Më shumë se gjysma e infektimeve dhe vdekjeve janë shënuar në Moskë, ndërsa Rusia ditë më parë ua kaloi Francës e Gjermanisë sa i përket numrit të përgjithshëm të të infektuarve, duke shënuar mbi 10 mijë raste në ditë gjatë javës që po përfundon.