
LDK, AAK dhe Nisma po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë ose jo të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emërimin e Avdullah Hotit si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Nga LDK kanë theksuar se po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, thotë për GazetaBlic, se ata janë duke pritur vendimin e Kushtetueses, duke shtuar se nuk do të bëjnë presion mbi gjykatën për vendimin.
Ai tutje thotë se çfarëdo vendimi që do ta merr Kushtetuesja, ata do ta arsyetojnë.
“Ne nuk ndërhyjmë në Gjykatën Kushtetuese, po presim çfarë vendimi po merr dhe çfarëdo vendimi që merr do ta arsyetojmë. Ndoshta vendimi nuk do të jetë në të mirën tonë, por të sjellin vendimin e drejtë, nuk e kemi ndërmend që të bëjmë presion mbi gjykatën kushtetuese”, tha Rugova
Rugova thotë se nuk kanë vërejtje për Vetëvendosjen për ankesën e tyre në Kushtetuese.
“Pse e ka dërgu VV-ja ankesën është çështje e tyre, andaj presim vendimin e gjykatës”.Kujtojmë se Gjykata Kushtetuse ka shqyrtuar ankesën e VV-së rreth dekretit të Presidentit për të nominuarin për Kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese kjo Gjykatë ka vendosur pezullimin e dekretit të Presidentit dhe automatikisht pezullimin e formit të Qeverisë deri në një vendim tjetër.