
Komuna e Prishtinës po e shfrytëzon kohën e pandemisë, kur qyteti është më i boshatisur që të punojë në disa rrugë.
Aktualisht, Komuna është dukë bërë ndërtimin e disa rrugëve.
Por, Komunës po i paraqiten disa probleme nëpër rrugët e ngushta, shkruan lajmi.net.
Për shkak se veturat po parkohen me orë të tëra, kontraktorët e komunës po detyrohen të presin derisa shoferet të largojnë automjetet nga aty.
Madje, ata kanë filluar që të vendosin edhe thirrje për banorët që të mos parkojnë automjetet aty ku po punohet.
“Njoftojmë të gjithë banorët e lagjes se kanë filluar punimet në projekt: Rikonstruimi i rrugëve në lagjen Dodona dhe lagjen e Muhaxherëve. Kërkojmë nga ana e juaj që gjatë kësaj periudhe të ekzekutimit të punimeve mos të parkoni automjetet tuaja në rrugë dhe trotuar ku zhvillohen punimet”, thuhet në shpalljen e publikuar nëpër disa lokale nga kompania punëkryese “Papenberg & Ardiani”.
Edhe në të kaluarën, Komuna thoshte se po ngadalësohet dinamika e punëve infrastukturore për këto shkaqe.
