
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania, ndërsa ka folur për tema të nxehta që kanë shtuar akuzat e ndërsjella mes partive politike.
I pyetur nga drejtorja e lajmeve në Euronews Albania, Ilva Tare, mbi akuzat që ka hedhur ndaj të dërguarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell se ka gisht në rrëzimin e qeverisë së tij,
Albin Kurti tha se ambasadori Grenell në tetor dhe janar ka qenë në Kosovë dhe ai fillimisht në tetor pati thënë se Kosova duhet të heqë tarifën 100%
.
“Ambasadori Grenell në tetor dhe janar ka qenë në Kosovë. Unë e kam takuar në të dyja herët, dhe ai fillimisht në tetor pati thënë se Kosova duhet të heqë tarifën 100%, ndërkaq në anë tjetër Serbia duhet ta ndërpresë fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, prej kur shkoi në janar në Beograd këtë pjesën e dytë e hoqi plotësisht dhe thoshte se vetëm Kosova duhet të heqë tarifën, ndërsa nuk fliste për Serbinë. Trysnia e tij fillimisht u shpreh për një lloj insistimi që kërkonte të mos diskutohej. Unë kam komunikuar me të, madje deri vonë edhe pasi jemi rrezuar si qeveri. Në anën tjetër, ai filloi ta shtojë trysninë ndaj partnerit tim në qeverisje deri sa ata u dorëzuan dhe u nënshtruan. Pra, ai ka pasur një rol, i cili nuk ka qenë neutral, por përkundrazi ka pasur një rol aktiv. Për mua kjo nuk do të thotë asgjë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një emisar të SHBA shumë i fuqishëm, me të cilën unë kam bashkëbiseduar, por nga ana tjetër nuk kam pranuar ta vendosë në pikëpyetje interesin e Kosovës. Mendoj se ai ka qenë shumë i interesuar për një marrëveshje shumë të shpejtë Kosovë-Serbi. Përqendrimi i tij ka qenë tek nënshkrimi në fund të marrëveshjes se sa tek teksti i saj, që do të kishte pasoja për kosën si shtet dhe për popullin e saj.
Pavarësisht mohimit që bëri Grenell për ekzistencën e një plani për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti tha se nuk është kështu, por theksoi se diplomatët amerikanë nuk kanë thënë fare që nuk ka plan, por se nuk e kanë parë një të tillë.
Ai nuk kurseu akuzat ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për të cilin theksoi se ka ndërtuar një lidhjeje të shkurtër me homologun e tij serb, Aleksdandër Vuçiç. Ai theksoi se dy presidentët, ai i Serbisë dhe i Kosovës kanë hartuar një plan për shkëmbimin e territoreve dukemos përfilluar përfaqësuesit europianë.
“Ata kanë thënë se nuk kanë parë një plan, jo se nuk ka një plan. Unë mund ta besoj këtë, sepse presidenti i Kosovës dhe i Serbisë kanë krijuar një lidhje të shkurtër. Unë mendoj se ka një plan midis dy presidentëve, ndërsa në këtë mënyrë ata nuk i përfillin përfaqësuesit europianë”, shtoi ai.
Teksa shprehu bindjen e tij se Lëvizja Vetëvendosje është partia më e votuar në popullatë, Albin Kurti tha se ata që iniciuan planin për shkëmbimin e territoreve do t’u mbetet turpi, ndërsa Kosovës shtoi ai, do t’i mbetet i gjithë territori i saj.
“Kemi herën e parë në këtë shekull që një lider i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë ndërmjetësim ndërkombëtar. Ata kanë hyrë në ujdinë e brendshme për çështjen e shkëmbimin e territorial, që për mua është një eufemizmi për ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës është projekt i kamotshëm i Serbisë dhe ai merr forma të ndryshme. Të gjitha këto janë ambalazhe të ndryshme të të njëjtit plan, që është ndarja e Kosovës dhe kjo është e papranueshme për mua si kryeministër, si shqiptar dhe si njeri. Ata që lançuan projektim e shkëmbimin territorial do t’u ngelet turpi, ndërsa Kosovës komplet territori i saj. Ne nuk duhet të japim, ne kemi vuajtur dhe kemi aq shumë humbje në njerëz”, shtoi Kurti.